Policia kufitare e Vlorës vijon kontrollet në ishullin e Karaburinit dhe të Sazanit pasi dyshohet se është fshehur një sasi e madhe droge e cila ishte planifikuar të trafikohej drejt Italisë. Policia dyshon se Karaburun fshihen sasi të mëdha droge, e cila mund të ngarkohej me ndonjë mjet tjetër. Po kështu vijon operacioni për kapjen e gomones e cila u pikas në det rreth orës 13:50 minuta të 5 janarit 2018, afër Karaburunit. Policia e Shtetit sqaron se gomonia dyshohet të jetë fshehur në ndonjë gji detar midis Malit të Zi dhe Kroacisë, ndërsa në bordin e saj janë pikasur tre persona si dhe bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër është bosh.

Dyshohet se gomonia do merrte lëndën narkotike në Sazan me qëllim trafikimin në drejtim të Italisë”, sqaronte dje policia. Pavarësisht ndjekjes së gjatë ku u përfshi edhe helikopterë nuk është bërë e mundur gjetja e saj. Dyshohet se është fshehur në ndonjë gji bregdetar, në ujërat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë. Ndërkohë vijon sot krehja e zonës, pasi dje në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur “Bristan”, midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.