Kjo është Malalai Anwari, basketbolliste e kombëtares së Afganistanit e cila shpërtheu në lot sapo dëgjoi për herë të parë pas ardhjes në Shqipëri himnin kombëtar afgan.
Vllaznia në basketboll për femra mirëpriti në një ndeshje miqësore vajzat e kombëtares afgane të basketbollit të cilat janë grupi i fundit që i shpëtuan terrorit të talebanëve. Ardhja e tyre u bë e mundur nga Federata Botërore e Basketbollit. 29 vjeçarja Anwari mes lotësh tregon se tashmë po marrin frymë sërish lirisht.

Parida Wahedi, 23 vjeçe gjithashtu lojtare e kombëtares afgane të baskebollit thotë se po vijon ëndrrën që nisi në Afganistan për basketbollin por është tejet e shqetësuar për familjen e saj që jeton nën sundimin e talebanëve.

Trajneri i kombëtares afgane Jamshid Akbari shprehet se vetëm 9 lojtare të kombëtares afgane kanë arritur që të largohen dhe 25 të tjera janë ende atje në rrezik të përhershëm për jetën.

Për trajnerin e Vllaznisë Bledar Gjeçaj kjo ndeshje miqësore shpresonqë ta zbusë sado pak dhimbjen për vajzat afgane.

Organizata Shpresë për Botën organizoi këtë takim miqësor si dhe po merret me integrimin e afganëve që janë të vendosur në Shëngjin të Lezhës.

Pas vajzave afgane të basketbollit një ndeshje miqësore me ekipin e Vllaznisë zhvilluan edhe ekipi i djemve I kombëtares së volejbollit të Afganistanit.