Pogradec, sherr mes dy të rinjve vritet 18-vjeçari, arrestohet autori
Një 18-vjeçar ka mbetur i vdekur në qytetin e Pogradec, pasi është qëlluar me armë zjarri nga një moshatar i tij pas një konflikti. Sipas policisë nga hetimet e para rezulton se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal në rrugën ‘Rinia’ 18 vjeçari me inicialet F.M. ka qëlluar me automatik 18-vjeçarin Fabio Hila. Fillimisht Hila ka mbetur i plagosur nga plumbat, por rrugës për në spital ka ndërruar jetë. Autori është larguar nga vendngjarja, por disa minuta më pas është arrestuar nga policia, ndërsa është sekuestruar edhe armë e krimit. Njoftimi i policisë Policia në kohë rekord kap autorin e vrasjes së ndodhur në Pogradec. Në datë 13.09.2016, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Pogradec ka ardhur një telefonatë se te rruga “Rinia” janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Menjëherë janë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë konstatuar se pas një konflikti për motive të dobëta, në një lokal në rrugën “Rinia” shtetasi F.M, rreth 18 vjeç, ka qëlluar me automatik shtetasin F.H, rreth 18 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Pogradecit. Autori i dyshuar i ngjarjes, është larguar nga vendngjarja, por si rezultat i reagimit të shpejtë të shërbimeve të policisë është kapur dhe shoqëruar në ambjentet e Komisariatit së bashku me armën e krimit. Policia në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.