DVP Shkodër Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Bajzë, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar. Vihet në pranga edhe kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre. Vijojnë kontrollet e njëpasnjëshme në zbatim të planit të masave për kontrollin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: O. Ç., 35 vjeç banues në Bajzë, Malësi e Madhe, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; T. C., 55 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, me detyrë kryeplak i fshatit Bajzë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, në ambientin përreth banesës së shtetasit O. Ç. kanë gjetur të kultivuar fidanë narkotikë cannabis sativa. __ Shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. C., 60 vjeç , banues në fshatin Gomsiqe, Shkodër, për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Fiat” është përplasur me mjetin tip “Benz” dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.