Mëngjesin e së martës, Policia e Shkodrës ka arrestuar një tregtarë duhani në lagjen “Rus”. Sipas burimeve, bëhet me dije se shtetasit Lazer Kola i është sekuestruar gjithashtu një sasi prej disa kilogramësh duhan dhe automjeti.

Prej kohësh, Policia e Shkodrës ka filluar një aksion, ku janë shoqëruar për në komisariat tregtarë të ndryshëm, të cilët tregtojnë duhanin në lagjen “Rus”. Duke mos pranuar të flasin para kamerës, për shkak të frikës së një aksioni të madh për sekuestrimn duhani, tregtarët shprehen për “Star Plus” se kjo është mënyra e vetme për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre. Tregtarët në shumicën e rasteve arrestohen nga Policia e Shkodrës në dalje të fshatrave Rragam dhe Sheldi, ndërkohë që nuk mungojnë gjobat me shifra statosferike, duke e cilësuar si kontrabandë duhanin e tyre.

Akciza prej 4 mijë lekësh të reja për një kilogram duhan, sipas tyre është e papranueshme dhe si e tillë ata nuk mund t’a paguajnë pasi nuk mund të ketë fitime, për të mos thënë vetëm humbje. Zonat që merren me kultivimin dhe shitjen e duhanit janë ndër më të varfërat në Shkodër, përderisa tregtarët shprehen se malli i tyre blihet po ashtu nga persona me fuqi të dobët ekonomike.