
Policia vendore e Shkodrës ka sqaruar rastin e shoqërimit në mjediset e policisë mbrëmjen e kaluar të shtetasit Arvit Bushati, nënkryetar i Forumit Rinor të PD dhe drejtor i ndërmarrjes së ujësjellës kanalizime në Shkodër. Lidhur me këtë rast policia bën të ditur se pas shoqërimit Bushati është lënë i lirë. Në komunikatën për shtyp thuhet: “Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në kuadër të procedimit penal nr. 456, të vitit 2023, për një rast të korrupsionit aktiv në zgjedhje, të dyshuar të ndodhur më datë 12.05.2023, për të cilin u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim shtetasi Arvit Bushati, 33 vjeç, i cili iu shmang hetimit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, ditën e djeshme, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, kanë shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasin Arvit Bushati, banues në Shkodër.
Pas verifikimeve të kryera nga strukturat hetimore dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, shtetasi Arvit Bushati është lënë i lirë”, thuhet në njoftimin e policisë. Më tej deklarata e policisë pas akuzave politike të Bushatit, sqaron se efektivët janë të angazhuar për të zbatuar logjin me paanësi.
“Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se strukturat e Policisë së qarkut Shkodër janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin me paanësi dhe rigorozitet, si dhe për të luftuar me vendosmëri krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 ose në strukturat e Policisë, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në zbatim të ligjit”, përfundon njoftimi i policisë së shtetit. Arvit Bushati pas 5 orësh i shoqëruar u la i lirë pasi shpallja në kërkim para pak kohësh kishte rënë poshtë nga një vendim i gjykatës së shkallës së parë të Shkodrës.


