
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër kanë bërë publike rezultatet e punës për muajin maj 2026, duke evidentuar goditjen e veprimtarive kriminale, luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe masat për menaxhimin e fluksit të shtuar në kufi gjatë sezonit turistik.
Në raportimin e tij, drejtori i Policisë Shkodër, Gentian Berberi, bëri të ditur se gjatë muajit maj janë evidentuar 213 vepra penale, me një nivel zbulueshmërie prej 96.7 për qind. Për këto raste janë identifikuar 199 autorë, ku 33 janë arrestuar ose ndaluar, 161 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjatë muajit janë zhvilluar nëntë operacione policore, të fokusuar në kapjen e personave në kërkim, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, krimeve ekonomike, lojërave të fatit dhe kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat, janë sekuestruar armë, municione, lëndë narkotike, pajisje për lojëra fati dhe shuma parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtari të paligjshme.
Një ndër sfidat kryesore të evidentuara nga policia mbetet lufta kundër kultivimit të kanabisit. Vetëm gjatë muajit maj janë asgjësuar 3394 bimë narkotike dhe 571 fidanë kanabisi, ndërsa janë referuar 17 raste të lidhura me këtë veprimtari kriminale.
Në fushën e sigurisë rrugore, Policia e Shkodrës raportoi 35 raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt, me 10 persona të arrestuar. Ndërkohë, gjatë muajit maj janë regjistruar katër aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës së katër qytetarëve.
Nga ana tjetër, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër raportoi një rritje të ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare. Gjatë muajit maj janë përpunuar 461.511 shtetas dhe 200.616 automjete në pikat e kalimit kufitar të qarkut, shifra që reflektojnë nisjen e sezonit turistik veror dhe shtimin e fluksit të udhëtarëve.
Për të përballuar këtë situatë, janë shtuar kapacitetet e shërbimit në pikat kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit, ndërsa po instalohen edhe sisteme të reja teknologjike për përshpejtimin e procedurave të kontrollit.
Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe sigurisë në plazhin e Velipojës dhe hapësirave ujore, ku policia kufitare ka angazhuar patrulla tokësore dhe ujore, si dhe monitorim me dronë për garantimin e sigurisë së pushuesve.
Autoritetet policore apeluan për bashkëpunim me qytetarët dhe subjektet turistike, duke theksuar se çdo shkelje që cenon rendin, sigurinë publike apo jetën e qytetarëve do të trajtohet me tolerancë zero.






