Policia e Shtetit në vetëm dy ditë ka pezulluar 30 leje drejtimit për shoferët si dhe vendosur 252 gjoba prej të cilëve 141 janë konstatuar me shkelje të dyfishtë apo të trefishtë. Policia gjobat dhe heqjen e patentave për shoferët i ka bërë nga monitorimi i qarkullimit rrugor, me makinën inteligjente dhe me radarë, për të parandaluar aksidentet rrugore. Monitorimi ka vijuar prej dy ditësh, në Rrugën e Arbrit.

Policia e Shtetit bën të ditur se Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, nëpërmjet makinës inteligjente dhe radarëve, ka vijuar monitorimin e Rrugës së Arbrit, me makinën inteligjente dhe me radarin Patrol. mSi rezultat i monitorimit, gjatë dy ditëve të fundit, në rrugën e Arbrit janë konstatuar 11 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi 70 km /h, ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h, pasi rruga është akoma në ndërtim. Këtyre drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit, nga 1 deri në 3 muaj, si dhe janë ndëshkuar edhe me masë administrative nga 7000 deri në 15000 lekë secili.

Po gjatë monitorimit në rrugën e Arbrit, nga makina inteligjene dhe radari Patrol janë konstatuar në shkelje për shpejtësi, rrip sigurimi e përdorim celulari, por edhe për parakalime të gabuara që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, 74 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa të ndryshme administrative, sipas shkeljeve përkatëse. Monitorimi ka vijuar edhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, ku si rezultat i monitorimit nga radari Patrol dhe makina inteligjente, janë evidentuar dhe ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit, 19 drejtues mjetesh, të cilët janë ndëshkuar edhe me masë administrative.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masa administrative, 178 drejtues mjetesh, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit. Nga këta 76 janë konstatuar në shkelje të dyfishtë, konkretisht për shpejtësi dhe përdorim celulari, 31 për shpejtësi dhe mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 34 në shkelje të trefishtë, mosvendosje të rripit të sigurimit, shpejtësi dhe përdorim celulari gjatë drejtimit të automjetit.

Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara në Rrugën e Arbrit, megjithëse fluksi i automjeteve është normal, po ashtu edhe në rrugët interurbane, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, do të vijojë monitorimin intensiv të këtyre akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Artikulli paraprakSHKODËR, ARTIZANIA E CILA RUAN TRADITËN
Artikulli tjetërGURI ZI, DIGJET QËLLIMISHT MAKINA E NJË BIZNESMENI