Policia greke ka rritur nivelin e gatishmërisë, në pritje të aktiviteteve përkujtimore për vrasjen, tetë vjet më parë, të adoleshentit Aleksandros Grigoropulos.

Më shumë se 3.000 forca policie janë mobilizuar në operacionin e sigurisë, për të menaxhuar një përshkallëzim të mundshëm të protestave, siç ka ndodhur gjithë vitet e mëparshme. Manifestimet do të fillojnë në mesditë, me tubimin e nxënësve dhe studentëve të kryeqytetit para godinës së Universitetit të Athinës. Për pasdite është paralajmëruar edhe tubimi i grupimeve anarkiste. Për shkak të protestave policia ka vendosur për ditën e martë kufizime në qarkullimin e mjeteve në rrugët e qendrës së kryeqytetit. Të dielën, policia sekuestroi rreth 150 bomba molotov, që ishin fshehur në bodrumin e një pallati në Eksarkia, zonë që konsiderohet si baza kryesore e anarkistëve. Policia vlerëson se bombat ishin përgatitur që të përdoreshin në protestat e së martës. 8-vjetori i vrasjes së Grigoropulos do të përkujtohet me tubime edhe në qytetet e tjera të Greqisë. Aleksandros Grigoropulos ishte vetëm 15-vjeç kur u qëllua për vdekje nga një patrullë policie mbrëmjen e 6 Dhjetorit 2008. Menjëherë pas kësaj mijëra të rinj u grumbulluan në vendgjarje dhe protestuan për gjithë natën.Për tri ditë rresht situata doli krejtësisht jashtë kontrollit të autoriteteve, ndërkohë që protestuesit shkaktuan zjarrvënie masive dhe shkatërruan komplekse tregtare e banka, dhe grupe keqbërësish plaçkitën një numër të madh dyqanesh në qendër të Athinës.

Artikulli paraprakVOTUESIT, TË LODHUR NGA MOSPËRMBUSHJA E PREMTIMEVE
Artikulli tjetërKORÇË, DJALI TENTON TË MBYTË ME RRIP BABAIN NË SPITAL