
Me afrimin e festave të fundvitit, policia rrugore dhe ajo bashkiake ka marrë masat për lehtësimin e trafikut që krijohet kryesisht në qendër të qytetit të Shkodrës. Mëngjesin e kësaj të mërkure, patrulla të shumta policie janë vendosur në akset kryesore për të rregulluar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Përqëndrimi I tyre ishte kryesisht në Piacë, pasi në këtë zonë krijohen trafik në çdo ditë të vitit për shkak të parregullsisë me të cilën lëvizin mjetet dhe këmbësorët në vizat e bardha.
Zgjidhje për këtë problem do të ishte vendosja e semaforëve, por siç është bërë me dije kohë më parë, vendosja e tyre kërkon një plan të mirëstudiuar nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që ndikimi të jetë pozitiv gjatë lëvizjes së qytetarëve. Ndërkohë që kontrollet bëhen vetëm në qendër, në zona të tjera, drejtuesit e automjeteve vijojnë të parkojnë në kundërshtim me ligjin.
Fenomeni I parkimit dyshe është I përhapur në qytetin e Shkodrës, duke bërë që krijohet trafik herë pas herë por edhe duke rrezikuar jetën e kalimtarëve të ndryshëm në këmbë apo me biçikleta. Gjatë ditëve në vazhdim, kur nis kthimi I shumë emigrantëve për festa, por edhe turistë të huaj që zgjedhin Shkodrën për pushime, pritet që trafiku të rëndohet më tepër, por me masat e marra nga policia rrugore këtë vit qarkullimi do jetë më I lehtë në qendër të qytetit.


