Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme thotë se ka marrë paraditen e së mërkurës nga Prokuroria dy urdhra ndalimi dhe një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda për masë sigurie “Arrest me burg”.

SHÇBA njofton gjithashtu se janë marrë për ekzekutim edhe tre vendime të Gjykatës për Krimet e Rënda për ushtrim kontroll banese, mbi bazën e një procedimi të nisur në vitin 2016 nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë.

Urdhër-ndalimet janë nxjerrë për shtetasit:

– Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

– Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

– Vendimi i Gjykatës në mungesë për masën e sigurisë “Arrest në Burg” është nxjerrë për shtetasin Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Urdhër-ndalimet dhe Vendimet e Gjykatës mbajnë datën 21 nëntor 2017.

Sapo është vënë në dijeni për vendimet, SHÇBA thotë se ka organizuar punën dhe ndarë detyrat për zbatimin e tyre konform Kodit të Procedurës Penale. Të gjitha veprimet proceduriale nga SHÇBA-ja, pas njohjes me aktet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës, janë drejtuar nga Prokurorët e çështjes dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, për ndjekjen e hapave proceduriale. Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre.

Nga kontrolli në banesa dhe ambiente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka shpallur në kërkim që prej së mërkurës shtetasit Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila dhe po punohet për kapjen e ndalimin e tyre. Të enjten, SHÇBA thotë se me kërkesë të drejtuesit të saj është zhvilluar një analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet proceduriale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit për këta ish-oficerë.

Artikulli paraprakBASHA: S’DO LEJOJMË RAMËN TË EMËROJË PROKURORIN E PËRGJITHSHËM
Artikulli tjetër“THETHI PO SULMOHET”, BANORET TAKIM ME ADEMIN!