Policia e Shtetit ka reaguar duke shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e thellë nga gjykata e Elbasanit që ditën e djeshme vendosi që të rrëzonte akuzat për Florenc Çapjan dhe Suel Çelën për dy cështje të ndryshme.

Policia deklaron se dy personat, Çapja që u lirua nga qelia dhe Çela që ishte në kërkim dhe u shpall i pafajshëm janë dy persona me rrezikshmëri të lartë në Elbasan dhe drejtues të dy grupeve kriminale për të cilët grupi hetimor kishte prova të shumta që vërtetonin përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale dhe që duhet të dënoheshin.

Florenc Çapja për të cilin policia thotë se i shpëtoi ndëshkimit të drejtësisë me vendime arbitrare, akuzohej për atentatin kundër ish-efektivit të policisë Fadil Mema në vitin 2005, por gjyqtari Tomor Kullolli vendosi që të pushonte çështjen. Edhe pse vendimi nuk është i formës së prerë, policia deklaron se tashmë Çapja me rrezikshmëri të lartë është i lirë.

“Florenc Çapja është i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të rrezikshëm kriminal që vepron në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i arrestuar shumë herë për vepra të rënda penale, po që ka arritur të lirohet dhe t’i shpëtojë ndëshkimit në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të paligjshme. Ky vendim nuk është i formës së prerë, por gjithsesi ka bërë që ky individ me rrezikshmëri te lartë shoqërore të lirohet nga burgu dhe sot të jetë i lirë” thotë policia.

Përsa i përket rastit të Suel Çelës që u hetua e gjykua në mungesë dhe u shpall i pafajshëm, policia thotë ka arritur që të shpëtojë duke korruptuar drejtësinë. Vendimi për Çelën dhe pjesëtarët e tjerë të grupit u dha nga trupi gjyqësor me kryetar seance Klodian Kurtishin, anëtar Fran Prendi dhe Sandër Simoni.

Për policinë provat ishin të pakundërshtueshme, se Çela në bashkëpunim me dy personat e tjerë tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës.

“I kërkuari Marjus Lulaj (Suel Çela) më datë 10.09.2017, rreth orës 20:00, pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, Elbasan, në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës.

Ky shtetas është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor” deklaron policia e shtetit.

Dy vendimet pritet që të apelohen nga prokuroria.

Artikulli paraprakKAPEN 11 MIJË EURO FALSE NË AUTOBUSIN SHQIPËRI-ITALI
Artikulli tjetërARRESTOHEN DY TË RINJ ME RRETH 4 KG HEROINË DHE ARMË