Edhe Shqipëria është gjendur pranë Francës. Krerët më të lartë të shtetit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për sulmet e njëpasnjëshme terroriste që shënuan me qindra viktima, e njëherësh me tronditjen për jetët e humbura kanë shprehur edhe indinjatën ndaj akteve barbare ekstremiste.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, presidentit francez Hollande, ku veç të tjerash shprehet se dënon aktet terroriste që synojnë të trembin jo vetëm Francën, por mbarë botën. “Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike”, – shkruan Nishani.   Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar nje mesazh ngushëllimi e solidariteti kryetarëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës, Claude Bartolone dhe z. Gerard Larcher pas masakrës në Paris.  “Shqiptarët janë shokuar nga sulmet terroriste në Paris. Jemi të gjithë përkrah jush në këto momente kritike. Shqipëria pranë Francës për të mbrojtur vlerat universale demokratike që na bashkojne. Terroristët nuk mund të cenojne lirinë dhe vlerat e shoqërise franceze. Solidaritet me popullin mik francez dhe të gjithë qytetarët e Parisit. Qëndrojmë përkrah aleatëve tanë në luftën e pandalshme kundër terrorizmit”, shprehet kryeparlamentari Meta. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një luftë të vërtetë atë që po ndodh në Francë. “Është një luftë e vërtetë Shqipëria mbështet plotësisht Francën dhe qeverinë e saj në këto momente horrori”, shkroi në Facebook në orët e para të mëngjesit shefi i qeverisë Rama. Edhe lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha është sensibilizuar me aktet terroriste në Paris. Ai i quan akte të çmendura dhe shpreh ngushëllimet për viktimat e pafajshme. “Mbarë shqiptarët kanë ndjekur me tronditje dhe pikëllim të thellë pasojat tragjike të akteve të çmendura terroriste mbrëmë në Paris. Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë shpreh ngushellimet e mia për viktimat e pafajshme të kësaj masakre barbare. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe mbarë popullin francez”, thotë Basha.