Politika shqiptare ka uruar festën e shenjtë të besimtarëve myslimanë, Kurban Bajramin. Urimet kanë nisur mbrëmjen e djeshme me presidentin e vendit, Ilir Meta, i cili me anë të një postimi ka shkruar se Kurban Bajrami është përkujtimi i shëmbëlltyrës sublime të sakrificës për jetën dhe lirinë.

Më pas ka uruar edhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Gjithashtu pjesë e urimeve për këtë festë të shenjtë të simbolit të sakrificës është bërë edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim, e cila ka uruar në gjuhën shqipe.

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me një foto mëngjesin e sotëm me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në foton e publikuar me shkrimet e librit të shenjtë të besimit islam, Kuranit shkruhet “Gëzuar Kurban Bajramin”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar besimtarët myslimanë dhe qytetarëve shqiptarë me një mesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai nuk lë pa përmendur që edhe këtë festë fetare besimtarët i gjeti nën pushtetin e COVID-it. Ruçi shprehet se me kujdesin e të gjithëve dhe me ndihmën e besimit, jeta e lumturia do të triumfojnë mbi pandeminë.

“Sot është festa e Kurban Bajramit. Besimtarëve myslimanë, në Shqipëri dhe në Diasporë, u uroj Gëzuar festën e bukur të Kurban Bajramit. Gëzimi i festës i gjen Shqipërinë dhe shqiptarët, ashtu si gjithë besimtarët myslimanë, nën ankthin e rrezikut të pandemisë së koronavirusit.

Por unë, ashtu si të gjithë ju, vëllezër besimtarë dhe qytetarë shqiptarë, kudo ku jetoni, jam i bindur se, me përpjekjet e kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, gëzimi do ta mundë dëshpërimin; shpresa do ta mposhtë frikën; drita do të ndriçojë mbi errësirën; qartësia do të shpërndajë mjegullat e sëmundjeve dhe trishtimit; ëmbëlsia e festës do të shijojë përmbi hidhërimin që shkakton pandemia;

e mira do të përzërë të keqen nga jeta dhe vatrat familjare të çdo besimtari e shqiptari; lumturia do të tresë dhimbjen, dyert e shkollave e universiteteve do të rihapen dhe do të mbushen me zërat gazmorë të nxënësve e studentëve; prindërit do të çlirohen nga meraku njerëzor për fëmijët, të moshuarit do të rikthehen në jetën e tyre të qetë;

bizneset do të kthehen në prodhimin dhe shërbimet me kapacitetet e tyre të plota; përqafimi do t’i zejë vendin distancës e veçimit; gjallëria do të zëvendësojë pezmatimin dhe jeta do të triumfojë mbi rrezikun pandemik. Gjej rastin të shprehë mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për besimtarët myslimanë dhe të gjitha komunitetet fetare për solidaritetin dhe humanizmin që treguan e po tregojnë gjatë pandemisë”, shkruan Ruçi.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në gjuhën shqipe për festën e Kurban Bajramit. Ajo uron që për të gjithë besimtarët kjo festë të sjellë shpresë gëzim ta e familjet e tyre.

“Gëzuar festën e Kurban Bajramit! Sjelltë shpresë, besim dhe gëzim për ju dhe familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin për të gjithë miqtë që e festojnë”, shkruan Kim në Twitter.