Urimet për këtë festë të veçantë të besimtarëve të Krishterë i ka ndarë edhe politika shqiptare. Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pashkëve. Ai uron që këto momente të vështira për popullin shqiptarë t’i përjetojmë me forcë e kurajo.

Të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë, motra e vëllezër shqiptarë kudo ndodheni: GËZUAR NGA MOT PASHKËN!
Drita e Hyjit të ndriçojë përherë zemrën dhe familjet Tuaja!
Pandemia, për të dytin vit, na detyron të kremtojmë larg njëri-tjetrit fizikisht, por shumë më afër shpirtërisht, këtë festë të shenjtë dhe frymëzuese, që lajmëron triumfin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen, të dritës dhe të shpresës mbi errësirën dhe dëshpërimin, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë dhe gënjeshtrën, të humanizmit e dhembshurisë mbi babëzinë dhe arrogancën.

Kryeministri Edi Rama ka uruar festën e Pashkës përmes një fotoje të postuar në rrjetin social “Facebook” ku shkruan “Gëzuar pashkët nga Fieri”.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar festën e Pashkës përmes një postimi në rrjetin “Facebook” ndërsa përcjell mesazhin për bashkim të forcës dhe triumfin mbi të keqen.

“Nga zemra ju uroj Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë.
Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin mbi të keqen dhe forcën e jashtëzakonshme të ringjalljes dhe dashurisë.
Prandaj ju motra e vëllezër që po kaloni vështirësi shëndetësore, nëna dhe baballarë që sot jeni në pamundësi ekonomike, të rinj e të reja që mendoni emigrimin, mbushini zemrat tuaja me shpresë se ditë më të mira po vijnë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë.
Për shumë vjet gëzuar!”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, uron të gjithë besimtarët katolikë me këtë mesazh
Gëzuar Pashkët dhe me lutjen për të ardhmen me zemër të mirë e të mbushur me gëzim për çdo shqiptar.
Këto Pashkë që po kalojmë janë Pashkët e Ringjalljes dhe të çlirimit nga e keqja, që donte të pushtonte nëpërmjet kësaj situate pandemie dhe varfërie por që me ndihmën e Zotit, asnjëherë nuk do të fitojë.
Për shumë vjet gëzuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! – përfundon urimi.

Artikulli paraprakSHKODËR, POLITIKA URON PASHKËN: TË REFLEKTOJMË PËR VETEN
Artikulli tjetërPASHKËT, PAPA: TË MOS KETË DIFERENCIME ME VAKSINËN