Në pritje të trokitjes së Vitit të Ri 2021, drejtues të institucioneve më të lartë në vend kanë shprehur urimet e tyre për shqiptare, përmes mesazheve të veçanta.

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë qytetarët për Vitin e Ri përmes një video-mesazhi, ku përfshihen pamjet ankthi nga rrënojat e tërmetit deri tek dyert e spitaleve COVID.
Kryedemokrati Lulzim Basha i është drejtuar përmes një video mesazhi shqiptarëve në vigjilje të ndërrimit të viteve. Basha shprehet se po lëmë pas një vit të vështirë, një vit ku siç shprehet kryedemokrati pandemia na gjeti të gjunjëzuar.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Vitit të Ri 2021.

Ai gjatë urimit ka folur në lidhje me vitin e vështirë që kemi kaluar dhe ka uruar që Viti 2021 të jetë një vit normal për të gjithë me shëndet, gëzim dhe mirëqenie. Ai shtoi se shqiptarët i mbijetuan kësaj pandemi, ekonomia mbijetoi, sistemi shëndetësor po ashtu.
“Dashuria njerëzore, solidariteti dhe humanizmi u shfaqën si rrallë ndonjëherë në historinë tonë dhe të njerëzimit.

Të goditur, por të paepur; të mbyllur në vatrat familjare, por me zemra të hapura; të prekur në të ardhurat e kursimet, por jo në bujarinë tonë; të kufizuar nga kënaqësitë e jetës, por optimistë se po hyjmë në një vit që do të jetë i bukur sepse do të jetë normal. Le t’i lemë të treten kujtimet e vështirësive që kaluam dhe të gëzojmë se në horizont po duken ditë të bukura për të gjithë!”, tha Ruçi.

Në prag të festave të fundvitit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se janë vendosur ekipe shëndetësore shtesë për përballimin e urgjencave mjekësore. Duke folur nga Spitali i Traumës, Manastirliu u shpreh se ato do të jenë në gatishmëri në çdo moment.

Tërmeti dhe më pas pandemia treguan edhe njëherë jo vetëm kapacitetet e Forcave të Armatosura për të përmbushur detyrën e tyre , por njëherësh edhe dimensionin e tyre human duke qenë kudo ku ka nevojë. Përmes një videomesazhi për festat e fundivitit, ministrja Olta Xhaçka tashme Ministre e Jashtme u shpreh mirënjohjen mijëra burrave dhe grave që mbajnë veshur me krenari uniformën.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një videomesazhi në rrjetin e saj social Facebook ka uruar nxënësit, studentët dhe pedagogët për vitin e ri 2021.

Edhe Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar shqiptarët për një vit plot shpresë e mbarësi. Përmes një videomesazhi në “Facebook’, Kryemadhi theksoi se 2020-ta ka qenë një luftë për të gjithë shqiptarët, ndërsa shtoi se ndikimi i COVID-19 tregoi dobësinë e shtetit tonë.