Kryesuesi i listës së Partisë Demokratike në Shkodër Helidon Bushati theksoi sot përmes një lidhje Skype për MCN TV se PD është e pozicionuar qartë për sa i përket verifikimit të listës së deputetëve.

Duke iu referuar ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, Bushati tha se” PD nuk do në parlament persona që gjenden në listat e Amerikës me probleme ligjore”.

I pyetur nëse do të pranonte një post ministri në një qeveri të përbashkët me socialistët, Bushati hodhi poshtë koalicionin e mundshëm PS-PD duke thënë se “ky është version që Rilindjes do t’i shkonte për shtat”, ndërkohë që shtoi se “armiku kryesor i Shqipërisë është Rama dhe se PD e ka të qartë koalicionin me popullin”.

Intervista e Helidon Bushatit:

J’ua vuri në dukje zonja Kim këtë problem gjatë takimit që patet pak ditë më parë me të?

Bushati: PD është e pozicionuar qartë për sa i përket verifikimit të listës së deputetëve. Për sa i përket diskutimit me ambasadoren Kim dua t’i referohem postimit të saj ku thotë qartazi se PD nuk do në parlament persona që gjenden në listat e Amerikës me probleme ligjore.

Ndërkombëtaret i druhen edhe tensioneve në zgjedhje. Shkodra është një zonë e nxehtë, vlen të kujtoj që para disa javësh u dogj selia e Partisë Socialiste. Parashikoni tensione në këto zgjedhje të paktën në zonën ku ju kandidoni?

Bushati: Duke dhënë garanci, desha të them se nuk ka lidhje mes PD në Shkodër dhe djegies së selisë së PS. Ka qenë një reagim popullor që degradoi në sulm ndaj selisë së PS. Kjo duhet të shihet si simbolikë e së keqes që po përjeton sot Shkodra.

Sa më shumë shkodranë të dalin në zgjedhje sepse PD do të garantojë votën e tyre.

Dëgjuam dje zotin Basha në hapje të fushatës të thoshte se sfida e tij është lufta me oligarkët. Cila është garancia që elektorati duhet të ketë për këtë?

Bushati: Garanci më të madhe se sa të deklarojë Basha për qëndrimin ndaj oligarkëve nuk kam çfarë të jap më tepër. Sot jemi të gjithë dëshmitarë që ekonomia është përqëndruar në duart e pak njerëzve të cilët janë një grup njerëzish të PS. Kërkojmë një mbështetje për kryeministrin e ardhshëm Basha për të luftuar oligarkët.

Dhe një pyetje të fundit, do ta pranonit një post ministri në një qeveri të përbashkët me socialistët nëse mund të përvijohet një skenar i tillë?

Bushati: Më vjen të qesh, ky është version që Rilindjes do ti shkonte për shtat. Armiku kryesor i Shqipërisë është Rama që me 25 prill do të largohet. PD e ka të qartë koalicionin me popullin. Është e pamundur një koalicion mes PD dhe PS. Është diçka e pamundur.

Artikulli paraprakHELIDON BUSHATI TAKIM ME BANORËT E LAGJES PERASH: POLITIKËN E LAKUT TË FYTIT, KËTË SHKODRA NUK E DURON MË
Artikulli tjetër“NUK DO TA LË KURRË BETEJËN ME TY”! AKTORI LIÇAJ I DREJTOHET ASHPËR RAMËS: LAMTUMIRË O HIJE E MOÇME