
Policia e Shkodrës vijon hetimet për dokumentimin e plotë të tragjedisë së ndodhur një ditë më parë në fshatin Domën të Postribës, ku humbën jetën 24-vjeçarja Bleona Çelaj (Çobaj) dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 1 dhe 3 vjeç. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, nga veprimet e deritanishme rezulton se zjarri dyshohet të ketë nisur nga një bombol e vogël gazi, me të cilën e reja po përgatiste drekën për fëmijët. Dyshohet se bombola ka shpërthyer, duke shkaktuar flakë që janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën, pa u lënë mundësi viktimave të shpëtonin.
Çifti jetonte prej kohësh në Gjermani dhe vetëm pak ditë më parë ishte kthyer në Shqipëri për të kaluar pushimet verore pranë familjarëve. Pushimet, që pritej të ishin një periudhë gëzimi, u kthyen në një tragjedi që tronditi mbarë opinionin publik. Alarmin për zjarrin e ka dhënë një banor i zonës, i cili ka njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës. Megjithatë, ndërhyrja është vështirësuar për shkak të terrenit të thepisur. Burime bëjnë me dije se efektivët e zjarrfikëses janë detyruar të përshkojnë mbi 30 minuta rrugë në këmbë për të mbërritur në banesë, çka bëri që ndërhyrja të ishte tepër e vështirë.
Burimet pranë hetimit bëjnë me dije se trupat e tre viktimave janë gjetur pranë njëri-tjetrit, ndërsa foshnja 1-vjeçare është gjetur në krahët e nënës, një detaj prekës që tregon përpjekjen e saj për ta mbrojtur deri në çastet e fundit.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, bashkëshorti i 24-vjeçares dhe babai i dy fëmijëve ka deklaruar se në momentin e ngjarjes kishte dalë për pak minuta në dyqanin e lagjes për të marrë disa sende. Kur është kthyer, ka gjetur banesën të përfshirë nga flakët.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, në trupat e viktimave nuk janë konstatuar shenja dhune. Në këtë fazë të hetimeve, pista kryesore mbetet ajo e një ngjarjeje aksidentale, ndërsa Policia e Shkodrës vijon veprimet hetimore dhe ekspertizat për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj tragjedie.
Bleona Çelaj dhe dy fëmijët e saj të mitur do të përcillen sot për në banesën e fundit. Ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 15:00 në fshatin Domën, në njësinë administrative Postribë.






