Deputeti i opozitës Agron Duka ka depozituar në Kuvend një projektligj me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ku në fokus është rritja e prodhimit vendas dhe për pasojë edhe zhvillimi i mëtejshëm i eksporteve. Në draft kërkohet që pranë ministrisë së Bujqësisë të ngrihet një agjenci e cila do të kryejë analizat e tokës dhe të ujit, dhe gjetjet t’u komunikohen fermerëve në mënyrë që të orientohen mbi kulturat që duhet të mbjellin dhe produktivitetin e tokës. Një tjetër pikë e nismës ligjore është edhe krijimi i rajoneve për mbjelljen e produkteve bujqësore, pra të përcaktohen kulturat që do mbillen në qytete apo rajone të caktuara. Kjo për kreun e agrobiznesit Agim Rrapaj do të ishte shumë pozitive pasi do të rriste prodhimin.

“Kjo është një strategji që është kërkuar prej kohësh, rajonizimi i produkteve bujqësore, dhe është element kyç për sektorin. Natyrisht do të sillte rritje të prodhimit në vend, do sillte ulje të kostos, rritje të cilësisë, rritje të gjurmshmërisë dhe do të na bënte të ishim më shumë konkurrues ndaj importit”, shprehet Rrapaj.

Çdo vit sipas projektligjit duhet të ketë një raport-analizë për cilësinë e tokës, madje kjo strukturë që duhet të ngrihet pranë ministrisë duhet të bëjë edhe studimin e tregut për çmimet. Por, në këtë pikë Rrapaj thotë se duhet të kthehet Instituti i Studimit të Tokave, që në thelb kishte pak a shumë të njëjtat studime që listohen në projektligjin e Dukës.

“Por unë do të vlerësoja çështjen e vlerësimit të tokës, dhe ish-instituti i studimit të tokave të rikthehet në situatën që ka qenë dhe të mbështetet më shumë. Heqja e institutit ka bërë që ne të kemi këtë gjendje të vlerësimit të tokës”, thotë Rrapaj.

Po ashtu deputeti i opozitës propozon edhe ndryshimin e skemës së subvencionimit të fermerëve apo skemën kombëtar. Sipas Dukës rimbursimi dhe mbështetja e fermerëve duhet të bëhet në mënyrë direkte, dhe jo duke plotësuar kriteret që ka vendosur qeveria si numri krerëve të bagëtive apo sipërfaqja e tokës.

Artikulli paraprakYURI KIM TAKON MINISTREN E EKONOMISË: FORCONI MASAT PËR TË LUFTUAR KORRUPSIONIN
Artikulli tjetërINDIANI ME NËNSHTETËSI SHQIPTARE PJESË E “PANDORA PAPERS”, MASHTROI ME 2.1 MLD DOLLARË, VIJON TË FSHIHET NË SHQIPËRI