Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç transfertën që do të ketë ekipi i tij në Krujë ndaj Kastriotit nuk e cilëson aspak si një përballje të lehtë. Megjithatë objektiv i vetëm i kuqebluve në këtë përballje është fitorja.

Prej disa ditësh një prej lojtarëve më të mirë të Vllaznisë mbrojtësi Diagne nuk ndodhet në Shkodër por tekniku Brdariç hedh poshtë çdo aludim se ai është shitur duke thënë se sapo është bërë baba edhe pse tek tifozët ka një frikë duke parë rastin e sulmuesit Dunga i cili u largua dhe më pas u shit me një mungesë transparence.

Zëvendës trajneri i Vllaznisë Elvis Plori i cili më përpara ka drejtuar ekipin e Kastriotit thotë se krutanët kanë një ekip të mirë ndaj Vllaznia duhet të bëjë maksimumin për të marrë fitoren.

Futbollisti i Vllaznisë Ardit Krymi tregon se ekipi Vllaznia do të arrijë të fitojë ndaj Kastriotit.
Aktualisht Vllaznia mban vendin e katërt me 27 pikë, 10 më pak se Tirana kryesuese dhe katër pikë larg vendit të dytë dhe të tretë ku ndodhen Laçi dhe Kukësi.