
Ditën e sotme janë hapur aplikimet për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” dhe Master dhe duan të angazhohen në praktikë pune në institucionet publike.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në një video në rrjetet sociale theksoi se, “thirrja e dhjetë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është hapur. Do të qëndrojë e hapur për 45 ditë dhe këtë herë me më shumë mundësi se më parë”.
“600 të rinj nga 21–29 vjeç, të cilët kanë përfunduar studimet në ciklin “Bachelor” dhe Master do të mund të aplikojnë dhe të kryejnë praktikën e tyre të punës në Administratën Publike, duke përfituar një trajnim të dedikuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, si dhe kompensim financiar për shpenzimet gjatë praktikës”, tha Muzhaqi.
Ndërkohë që 250 më të mirët do të mund të përfitojnë kontratën 1-vjeçare të punës pranë institucionit ku do të zhvillojnë praktikën.
Periudha e praktikës do të përfshihet në periudhën shtator–dhjetor 2025 dhe për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës të rinjtë duhet të aplikojnë online.
Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.
Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1- vjeçare, duke u bazuar te performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion.