Një oficer i policisë gjyqësore është arrestuar sepse ka kërkuar 3 mijë euro ryshfet për të mos denoncuar vjedhjen e energjisë. Genc Filipi, 42 vjeç, oficer i policisë gjyqësore u prangos pas denoncimit të bërë nga vetë qytetari Prekë Molla, 49 vjeç.

Ky i fundit është konstatuar se ka bërë vjedhje të energjisë elektrike në Velipojë dhe drejtoria vendore e policisë së Shkodrës ka referuar rastin në Prokurorinë e Shkodrës për ndjekje të mëtejshme. Pasi ka regjistruar çështjen prokuroria sërish ia ka deleguar çështjen policisë së Shkodrës për të kryer veprime të tjera për rastin abuzues. Kjo dosje i është lënë oficerit të policisë gjyqësore Genc Filipi i cili pasi ka marrë kontakt me shtetasin Prekë Molla dyshohet se i ka marrë 3 mijë euro duke i thënë shtetasit Molla se: “e kë të zgjidhur problemin, tani nuk ke më punë. Do të njoftojnë unë për çështjen”. Pasi ka pritur pak kohë shtetasi Prekë Molla i është drejtuar prokurorisë së Shkodrës për të kërkuar informacion. Prokurori i kësaj dosjeje jo vetëm se nuk ishte pushuar por është dërguar në gjyq për vjedhje të energjisë elektrike. I ndodhur në këtë situatë prokurori pasi ka marrë informacion ka arritur të mësojë se oficeri i policisë gjyqësore ka marrë një ryshfet prej afro 3 mijë eurosh. Në këto kushte organi i akuzës e ka ndjekur më tej duke arritur që të bëjë arrestimin e oficerit Genc Filipi dhe duke e akuzuar për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” ndërsa shtetasi Prekë Molla akuzaohet për “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.