Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni në rolin e Kryetares së Taskë Forcës Covid-19, zhvilloi takimin e fundit për këtë vit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve anëtare. Në fokus të takimit ishte rritja e efikasitetit të bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të masave të marra në të gjithë territorin e Qarkut, për festat e fundvitit.

Duke analizuar situatën epidemiologjike, Prefektja Angoni u shpreh se testimet e shpejta kanë luajtur një rol inkurajues në evidentimin e personave me Covid-19, ndërkohë që sipas treguesve trendi i të infektuarëve është drejt rënies.

Në vijim, Prefektja Angoni përgëzoi hapjen e laboratorit për ekzaminimin e masave nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që po realizohet në Institucionin Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Shkodër duke shkurtuar procedurat dhe rritur ekzaminimet në Shkodër pa patur nevojë për të shkuar drejt Tiranës.

Duke parashtruar ankesat e shfaqura nga disa subjekte dhe individë ndaj sanksioneve të vëna nga inspektoriatet gjatë kësaj periudhe, Prefektja Angoni u shpreh se duhet ndryshuar qasja dhe komunikimi me qytetarët.

“Tregoni përgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës kundrejt masave administrative. Rrisni maksimalisht gadishmërinë, nxisni komunikimin dhe ndërgjegjesimin ndaj çdo individi dhe subjekti, pa harruar detyrimet ligjore.”

Në kuadrin e festave të fundvitit, nga të gjithë institucionet dhe inspektoriatet duhet të vijojnë inspektimet në territor, duke zbatuar ligjin dhe udhëzimet për Covid-19 por njëkohësisht duke qenë në gadishmëri dhe këshillues me qytetarët.- theksoi prefektja Angoni.

Pavarësisht apeleve të ripërsëritura për zbatimin e masave anti Covid sërish situata në Shkodër mbetet problematike qoftë nga ana e subjekteve që nuk respektojnë këto masa por edhe nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që vijojnë të jenë të pakujdesshëm.

Kjo ka bërë që prefektja të tërheq disa herë vëmendjen institucioneve që të jenë më të angazhuar qoftë në raport me subjektet që nuk zbatojnë masat anti COVID por edhe me qytetarët si e vetmja mënyrë për të ulur numrin e të infektuarave dhe për të patur më pak persona që humbin jetën si shkak i COVID-19 duke qenë se Shkodra vijon të jetë një prej qyteteve më të prekura nga virusi.