Prefekti i Qarkut Shkodër Paulin Radovani ka kthyer mbrapsht vendimin e këshillit bashkiak për lënien në punë të 6 punonjësve në qendrën e zhvillimit në qytetin e Shkodrës duke qenë në linjën e kryeministrit Edi Rama.

Një urdhër i kreut të qeverisë në korrikun e këtij viti për miratimin e strukturës dhe organikës të shërbimit social vendosi që të shkurtojë me 6 punonjës qendrën e zhvillimit të personave me aftësi ndryshe. Në gjykimin e bashkisë Shkodër sipas edhe relacionit që do t’i paraqitet këshillit bashkiak bie ndesh me zbatimin e standarteve dhe detyrimisht redukton kohën e shërbimit dhe terapive për klientët. Aktualisht në qendrën e zhvillimit janë 90 persona që trajtohen nga ku 48 janë rezidencial dhe 42 janë ditor. Bashkia Shkodër nuk e quan të arsyeshëm shkarkimin e këtyre 6 punonjësve sepse janë hequr specialist, educator si dhe fizioterapist në një kohë që ata persona kanë nevojë për shoqërim, shërbim higjeno-sanitar, shëndetësor, për lëvizje dhe përkujdesje, terapi të ndryshme zhvillimi, fizioterapi apo edhe programe zhvillimi individual. Në mbledhjen e 18 nëntorit këshilli bashkiak i Shkodrës miratoi shtesën e 6 punonjësve tek qendra e zhvillimit për t’i lënë në punë ndonëse u shkarkuan me urdhërin e kryeministrit. Ky vendim i këshillit bashkiak është kthyer mbrapsht nga prefekti Radovani me pretendimin se paratë për këta 6 punonjës do të jepen nga fondi rezevervë ndërkohë që ky fond sipas prefekturës përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve të cilat nuk njihen ose janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit. Në relacion bashkia thotë se pavarësisht se prefekti e ktheu mbrapsht sepse për të mund të jetë i parashikuar shkurtimi i 6 punonjësve e ka paraqitur edhe njëherë për votim në këshillin bashkiak në mbledhjen e 4 nëntorit kësaj here me fonde të mbetura pa u përdorur për pagat dhe sigurimet shoqërore të zyrës së arsimit. Në këtë mënyrë dy prej instuticioneve më të rëndësishme, prefektura dhe bashkia Shkodër vijojnë të përplasen edhe përmes shkresave.