
Premiera e shfaqjes për fëmijë “Miqtë e Pyllit” mbushi sallën e Teatrit “Migjeni” këtë fundjavë me fëmijë dhe prindër. Loja plot energji e aktorëve, skenografia e gjallë dhe mesazhet edukative të pjesës teatrale, me autore Dajana Nenaj, u pritën me duartrokitje të gjata, të qeshura dhe reagime të sinqerta nga të vegjlit.
Për realizuesit dhe aktorët e shfaqjes, momenti më emocionues erdhi pas përfundimit të saj, kur fëmijët vërshuan në skenë për t’i përgëzuar, fotografuar dhe përqafuar. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me publikun e vogël, sipas tyre, është shpërblimi më i bukur i çdo përpjekjeje artistike.
Shfaqja do të rikthehet në skenë të dielën dhe do të vijojë gjatë gjithë javës së ardhshme me surpriza të dedikuara nxënësve të shkollave të Shkodrës.






