
Në teatrin “Migjeni” u zhvillua nata e parë e premierës “Kopshtet e pavarura të lumturisë”, një tragjikomedi me autor Albri Brahusha, i ndarë nga jeta më shumë se një vit më parë, dhe e sjellë në skenë nga regjisori Hervin Çuli.
Publiku përjetoi një eksperiencë të pazakontë, pasi u vendos në të njëjtën hapësirë me aktorët, duke krijuar një ndjesi afërsie dhe përfshirjeje emocionale që e bëri shfaqjen edhe më të veçantë.
Interpretimet e Besmir Bitrakut, Dajana Nenajt, Xhuliano Briskut dhe Fritz Selmanit u pritën me duartrokitje, për mënyrën e natyrshme dhe të ndjerë me të cilën ata sollën në jetë karakteret e veprës.
Kjo premierë shënon gjithashtu nisjen e një etape të re për Teatrin “Migjeni”, tashmë nën drejtimin e Gerti Palalit, i cili synon ta çojë këtë institucion drejt një sezoni artistik më dinamik e bashkëkohor.






