Diten e nesërme mbushen plot 11 vite nga vrasja ne bulevardin “Dëshmoret e Kombit” e 4 protestuesve. Ne një rrëfim xhaxhai i Aleks Nikes, Mark Nika ka treguar me dhimbje për atë qe ai e konsideron si nje masakër shtetërore.

Nga Mark Nika,

21 janari vjen çdo vit e më i rëndë për familjen tonë.

Vjen i rëndë për gjithë miqtë e shokët e Aleksit. Për gjithë ata qytetarë shqiptarë që ruajnë në kujtesë dhe në ndergjegje si një plagë të madhe masakrën shtetërore të 21 janarit të vitit 2011, kur nga selia e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha, veglat e tij me uniformë qëlluan me armë zjarri mbi demonstruesit që ishin mbedhur për të protestuar kundër skandalit me zë e me figurë të ministrit dhe aleatit të tij, Ilir Meta.

Aleksi ishte një prej viktimave të atij krimi shtetëror.

Vrasja e tij pat lindur e zbardhur para kamerave të televizioneve. Por paradoksalisht, është sot e kësaj dite pa autor, e pazbardhur gjyqësisht, pa asnjë të dënuar për krimin e tmerrshëm.

Është një jetë e rrëmbyer kriminalisht në lule të moshës, që AKUZON papushim e do të vazhdojë të AKUZOJË. Derisa të dalë në dritë e vërteta dhe vrasësit e tij të marrin dënimin sipas ligjit.

AKUZON ata që dhanë urdhër të qëllohet me armë zjarri mbi protestuesit, ish- kryeministrin S. Berisha, ish- ministrin e tij të Brendshëm të asaj kohe, L. Basha. Ta gjejë drejtësia cili prej tyre e dha urdhërin. Ti gjejë drjetësia kush tjetër ka gisht në këtë krim makabër.

Ky grusht i përbuzshem shkeli me kembe të flliqura mbi lulen e rinise te djalit tonë. Këta nuk jane politikanë, por një bandë vrasësish. Drejtesia nuk do të jetë drejtësi pa zbuluar deri ne fund fytyrat e tyre të vërteta prej vrasësish.

AKUZON ish- komandantin e Gardës, A. Prendi dhe vartësit e tij në rolin e ekzekutorëve të urdhërave. AKUZON ata hetues, prokurorë dhe zyrtarë të drejtësisë që kanë mbyllur sytë e kanë bërë lojën e kungulleshkës me dosjen e vrasjes së Aleksit.

Më shumë se disa individë, akuzon një Prokurori politikisht dhe juridikisht e kapur, që ka demtuar rëndë drejtesine shqiptare, duke e bërë vendin padrejtesi. Heshtja e Prokurorise ka bërë në thelb rehabilitimin e vrasesve dhe urdheruesve.

AKUZON politikanët në pushtet që janë zotuar shumë herë, janar për janar, të bëjnë gjithçka, brenda kompetencave të ekzekutivit, në respekt të ndarjes së pushteteve, për të nxitur e ndihmuar zbardhjen e vrasjes së Aleksit.

Premtimet e Rames qe vrasesit dhe urdheruesit do te pergjigjen ligjerisht i mori “era”. Në të kundërtën, duke emëruar Ilir Metën president, socialistët e trimëruan Berishën. Qofsha i gabuar, por socialistet nuk kanë ndjeshmërinë e nevojshme per 21 Janarin. Jemi koshientë se vendi ka shumë halle, qeveria ka shumë sfida. Por hallet dhe sfidat nuk duhet ta fshijnë nga kujtesa kolektive e shqiptarëve 21 Janarin, nuk duhet të justifikojnë bërjen heshturazi të një amnistie politike de fakto, nuk duhet të lejojnë ligjërimin e krimit politik si mjet per te mbajtur pushtetin. Është e pabesueshme që për tetë vjet Prokuroria e rrethit gjyqësor, Tiranë, nuk ka kryer asnje veprim hetimor, dosja e Aleksit eshte mbajtur në sirtare

Gjatë kësaj kohe Ministria e Brendshme si pjese e ekzekutivit nuk ka kryer asnjë veprim. Me kerkesen tonë çeshtja i kaloi policise kriminale, e cila, ndonese mori persiper qe te kryeje veprime operative per te zbuluar provat dhe autoret e krimit, rezulton se nuk ka kryer asnje veprim. Me gjithe kerkesat tona dhe te avokatit te familjes, Prokuroria nuk na jep asnjë informacion.

Ligjerisht jane te detyruar te na informojne se mbrojme viktimen. Aktualisht Prokuroria e Tiranes ja ka kaluar çeshtjen nje oficereje te policise gjyqesore të drejtorisë vendore Tiranë (per ta hequr qafe) dhe jo policise gjyqesore te Drejtorise se Pergjithshme te Policise se Shtetit.

Kjo është sorollatja e turpshme.

Ky është pingpongu me një tragjedi.

Kështu na mundojnë tash sa vjet. Na mundon drejtesia e vonuar dhe komploti i heshtjes.

Kupa është mbushur e nuk mban më.

Pesimizmi shtohet më shumë kur shohim se dhe e ashtuquajtura drejtësia e re nuk ka një reagim të përgjegjshëm institucional e ligjor, duke u bërë kështu dashje pa dashje mbështetëse e krimit, urdhëruesve, transmetuesve dhe ekzekutuesve të tij realë. Është gjithë shoqëria jonë e vrarë dhe e kërcënuar, është e kërcënuar e sotmja dhe e ardhmja jonë. Askush nuk mund të flejë i qetë kur një krim shteteror nuk vendoset përballë ligjit.

Per te kryer veprimet qe do çonin në zbulimet e te vertetes për vrasjen e Aleksit, vecanerisht te urdherdhenies per të qelluar me armë zjarri dhe te autoreve qe e kane zbatuar, çeshtja duhet t’i kaloje SPAK- ut qe eshte kompetent dhe jo Prokurorise se Tiranes.

SPAK-ut ka kompetencën të pyesë dhe të ngreje akuzë ne lidhje me çeshtjen drejtuese te shtetit te asaj kohe.

SPAK dhe Byroja Kombetare e Hetimit që ka nisur nga puna janë shpresa e fundit se do bëhët drejtësi për Aleksin, për gjithë të vrarët dhe plagosurit e 21 janarit dhe përmes tyre për gjithë shoqërinë shqiptare. Ne u themi vrasesve dhe urdheruesve se mund te mendojne se i kane mbyllur hesapet me drejtesinë, por ta dinë qe ata nuk i kane mbyllur hesapet me ne. Ne nuk jemi kontigjent qe perdoremi dhe shfrytezohemi nga asnjë force politike. Nuk ka falje për vrasësit që i fshihen drejtësisë apo kërcënojnë drejtësinë. Ne nuk do behemi gjakhumbes.