Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic, u shpreh më herët për Zërin e Amerikës se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërkohë në një reagim për mediat ajo u shpreh sot se: “Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar,

si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.

Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.

Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.

Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Për këtë të fundit ka reaguar edhe Presidenca, ku zëdhënësi Tedi Blushi shkruan: Maja të lexojë Kushtetutën në shqip dhe të mos keqpërdoret nga Rilindja për lajme dite!

Artikulli paraprakE PËRPLAS MAKINA, HUMB JETËN 60 VJEÇARI
Artikulli tjetërFËMIJËT NXJERRIN NGA KËNETA PREDHA DHE MUNICIONE LUFTE