Që prej fillimit u konsiderua si surpriza e zgjedhje presidenciale të këtij viti në Francë, e tani sondazhet sugjerojnë se kandidati i pavarur Emanuel Macron mund të jetë ai që do të marrë drejtimin e Elizesë.

Sipas një sondazhi të “Opinionëay”, ish-ministri i Ekonomisë me shumë gjasë do të përballet e do të mundë në balotazh drejtuesen e Frontit Nacional Marin Le Pen. Mbështetja për Macron-in vlerësohet se do të arrijë në 65 përqind, ndërsa ajo për Le Pen në 35 përqind. Parashikimet flasin për një fitore të euroskeptikes në raundin e parë me 26 përqind të votave, ndërsa Macron pritet të sigurojë 23 përqind. Ai që deri më sot konsiderohej favorit Francois Fillon do të pozicionohet i treti, duke mos kaluar dot në balotazh. Pozitat e Fillon u lëkundën ndjeshëm pas shpërthimit të skandalit lidhur me pagesat e familjarëve të tij për punë fiktive. Pas hezitimeve fillestare për t’iu nënshtruar presionit, republikani bëri të hënën një hap prapa. Pavarësisht se e quajti të ligjshme praktiken shtoi se populli francez nuk e pranonte më atë dhe kërkoi ndjesë. “Ajo që në fillim ishte e pranueshme tani nuk është më. Duke punuar me fëmijët dhe gruan time, unë kam qenë i ndërgjegjshëm për këtë marrëdhënie besimi, por sot kjo ka shkaktuar mosbesim. Ishte një gabim dhe kërkoj ndjesë”, tha Fillon. Fushata e Fillon-it u shënjua nga pretendimet se gruaja dhe fëmijët e tij janë paguar për punë fiktive parlamentare. Kandidati i qendrës së djathtë i mohon me vendosmëri akuzat, por disa prej pjesëtarëve të partisë së tij i kanë kërkuar të tërhiqet nga gara.