Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi dje nga Prishtina se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve. Pas deklaratës së tij ka pasur shumë reagime në Kosovë dhe Shqipëri, mes tyre edhe Princ Leka. Ai thotë se realizimi arrihet me Kurorën Mbretërore në dy shtete si simbol i këtij uniteti. “Bashkimi Kombëtar ka qënë, është dhe do të jetë ëndra dhe përpjekja e Familjes Mbretërore brez pas brezi, madje edhe kur nuk guxonte askush tjetër ta artikulonte! Realizimi arrihet me Kurorën Mbretërore në dy shtete si simbol i këtij uniteti.

Kjo do të ishte logjika e stabilitetit real, traditës dhe prosperitetit të vërtetë, sic e sygjerojnë shembujt e padiskutueshëm të suksesit në vendet më të zhvilluara perëndimore” shkruan ai në faqen e tij në Facebook. Rama u shpreh dje se “Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Ndërkohë që opozita në Shqipëri e ka cilësuar deklaratën e tij si bombastike pa vlerë.