
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u zhvillua më 9 qershor 2025 në Vlorë. Konferenca u organizua nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me CEELI Institute dhe mblodhi së bashku gjyqtarë të lartë nga rajoni, përfaqësues të gjykatave të larta amerikane dhe liderë të gjykatave të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e kësaj konference si një hap i rëndësishëm për dialogun ndërgjyqësor, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit në drejtësi.
Ai nënvizoi rolin e gjyqtarëve të gjykatave të larta si garantë të drejtësisë dhe ruajtës të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve. “Ky rol kërkon profesionalizëm, integritet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike,” – u shpreh Presidenti.
Kreu i Shtetit theksoi se drejtësia nuk duhet të jetë privilegj, por një e drejtë për të gjithë qytetarët. Ai theksoi se pavarësia e gjyqësorit është themeli i demokracisë dhe duhet të mbrohet nga çdo ndërhyrje politike apo financiare. “Pavarësi do të thotë autonomi në gjykim, jo shkëputje nga llogaridhënia,” – u shpreh ai.