Fillimisht Presidenti Bajram Begaj u takua me kryetarin e bashkisë Shkodër Bardh Spahia gjatë vizitës së tij në Shkodër. Kreu i shtetit u prit nga kryebashkiaku në pedonalen para bashkisë ndërsa më pas vijuan një takim me dyer të mbyllura në zyrën e kryebashikaut. Për rreth 50 minuta Presidenti begaj bisedoi me kryetarin e bashkisë Shkodër Bardh Spahia lidhur me situatën në qytetin e Shkodrës por edhe më gjërë në rang kombëtar.

Kryebashkiaku Spahia e ka njohur Presidentin me punën e tij të këtyre muajve si dhe projektet në të ardhmen për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit dhe njësive administrative. Nga ana e tij kreu i shtetit i ka shprehur mbështetjen e plotë si dhe duke i shprehur vlerësimin e madh që ka për një qytet si Shkodra që për Presidentin Begaj zë një vend të veçantë. Më pas Presidenti vijoi me dekorimin e shkollës “28 Nëntori” me titullin “Nderi Kombit” dhe nga aty kreu i shtetit vijoi me një takim në Prefekturën e Qarkut Shkodër.

Presidenti Begaj u prit nga Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni e cila ashtu si kryebashkiaku Spahia i uroi mirëseardhjen. Edhe në zyrën e Prefektes takimi mes Presidentit dhe prefektes Angoni vijoi me dyer të mbyllura. Prefektja në atë takim që zgjati po ashtu afro 50 minuta e njohu kreun e shtetit me situatën në të gjitha bashkitë e qarkut Shkodër, zhvillimin e deri tanishëm si dhe synimet për të ardhmen për ta zhvilluar edhe më shumë këtë qark.

Nga ana tjetër Presidenti Begaj i shprehur edhe Prefektes Angoni lidhjen shpirtërore që ka me qytetin e Shkodrës dhe vlerësimin e tij për këtë qark. Prefektja dhe drejtues të tjerë vendor si kryetari i këshillit të qarkut Hilmi Lakti dhe kryetarja e këshillit bashkiak Brisela Kadia i bënë të ditur Presidentit Begaj se shkodranët ndjehen të lumtur për këtë vizitë të tij në Shkodër.