Presidenti i Republikës dekretoi sot (1 tetor), 9 Nëntorin 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në gjashtë bashki të vendit. Ky vendim vjen pas njoftimit zyrtar nga Këshilli i Ministrave më datë 30 shtator 2025, për krijimin e vakancave në Bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik. Dekretimi i datës së zgjedhjeve pason një interes të lartë publik, sidomos për rastin e Tiranës, ku vakanca u krijua për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë.

Sqarimet për vakancën në Tiranë

Në një sqarim të detajuar, Institucioni i Presidentit thekson se shkarkimi i kryetarit të Tiranës u bë pas propozimit të Këshillit Bashkiak, i cili me një shumicë dërrmuese (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.

Presidenti konfirmoi se shqyrtoi vetëm rregullshmërinë procedurale dhe autoritetin propozues të Këshillit Bashkiak, duke konstatuar se deklarimi i vakancës ishte bërë sipas kompetencës dhe në fund të një procesi konstatimi dhe verifikimi.

“Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes,” thuhet në deklaratën e Presidencës.

Arsyet e krijimit të vakancave në 6 bashkitë

Vakancat në pesë bashkitë e tjera (Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik) janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve përkatës. Ndërsa, rasti i Tiranës trajtohet bazuar në nenin që përcakton shkarkimin për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.” Presidenca sqaron se ky rast nuk kualifikohet si shkarkim “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” – gjë që do të thotë se për këtë vendim zbatohet juridiksioni gjyqësor administrativ dhe jo juridiksioni kushtetues (Gjykata Kushtetuese). Presidenti theksoi se “deri në momentin e dekretimit, në Gjykatën Administrative nuk është regjistruar ankim nga pala, si dhe nuk ka një vendim pezullimi”.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ky konstatim ishte thelbësor për të respektuar afatin 48-orësh që Presidenti ka për shpalljen e zgjedhjeve pas marrjes së njoftimit.

“Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.”, sqarohet në njoftimin e presidencës.

Me shpalljen e dekretit, Presidenti i Republikës u bën thirrje qytetarëve të këtyre bashkive “të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht” si dhe palëve politike për një fushatë “konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor.”

Artikulli paraprakVIJON AKSIONI I LIRIMIT TË HAPËSIRAVE PUBLIKE NË SHKODËR
Artikulli tjetërBEGAJ DEKRETOI 9 NËNTORIN PËR ZGJEDHJET E PJESSHME, BARDHI: SHKELJE E RËNDË E KUSHTETUTËS!