
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka vizitoi Shkodrën, ku inaguroi dy fusha të reja, fillimisht një mini-fushë futbolli në Juban që u financua nga FSHF në bashkëpunim me Famullinë e kësaj zone. Më pas, ai inaguroi një tjetër fushë, këtë herë në Shtoj me parametra të rregullta, në bashkëpunim me një investitor privat. Pas inagurimit të fushave, Duka mori pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”. Në fjalët e tij, presidenti i FSHF tha se Shkodra ka nevojë sërish për fusha të tjera.
Duka, i pyetur nga “Star Plus” për “Final Four”, tha se kjo skemë favorizon edhe Vllazninë të pretendojë për titullin kampion, ndërsa shtoi se duhet pritur përfundimi i këtij viti për të parë nëse ajo do të aplikohet edhe sezonin e ardhshëm.
Në këtë asamble u zgjodhën Lazër Matija dhe Alfred Pjetri, si dy delegatët që do të përfaqësojnë Shoqatën Rajonale të Futbollit Shkodër në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF.