Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka dhënë alarmin se BE është e kërcënuar.
“BE është e kërcënuar, nuk po i kushtohet rëndësi. Sot rrezikohet Shengeni, nesër rrezikohet Euro”, ka thënë Juncker. Deklarata e Presidentit të Komisionit Europian u bë duke folur në seancë plenare në Strasburg për çështjet e emigracionit. Junker ka ribërë edhe njëherë thirrje që shtetet e Europës të mos pezullojnë regjimin pa viza, Schengen. Sipas tij, kriza e emigrantëve nuk duhet t’i ndërlikojë marëdhëniet midis vendeve të BE-së por përkundrazi, ajo duhet parë si një sfidë e përbashkët dhe si një problem që nuk mund të zgjidhet brenda natës. Gjatë seancës plenare ku u vlerësua performanca e presidencës së Luksemburgut për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, Juncker listoi një sërë arritjesh, duke përmendur mes tyre, firmosjen e planit të veprimit me Turqinë, përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve ballkanike, ngritjen e kampeve të përkohshme të qëndrimit, etj. Megjithatë, ai nuk nguroi që t’i kritikonte shtetet anëtare sa i përket kontributit të dobët në implementimin e marrëveshjes për rishpërndarjen e 160.000 azil kërkuesve. Ndërkohë, për të njëjtën temë ka folur edhe Ministri gjerman i Jashtëm, Frank-Ëalter Steinmeier, i cili deklaroi se edhe në rast se shtetet e BE-së do të mbyllin kufinjtë, kriza e refugjatëve nuk do të marrë fund. Ai deklaroi se masat për zgjidhjen e ngërcit duhet të merren pikërisht në Siri, aty ku edhe ka nisur ikja masive e azil-kërkuesve. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është që të gjendet një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit.