Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar datën se kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 18 qershor të 2017-ës, për të dhënë verdiktin e tyre. Sipas dekretit që mban numrin 9883, Kreu i Shtetit ka vendosur përmes këtij vendimi ditën kur votuesit do të zgjedhin qeverinë që do t’i drejtojë në 4 vitet e ardhshme. “Në mbështetje të nenit 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1 dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Dekretoj Neni 1 Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 18 qershor 2017. Neni 2 Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.