
Diskutimet mbi Presidentin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD janë ‘zëvendësuar’ sërish nga problemet e brendshme të kësaj partie që kanë marrë fokusin kryesor të diskutimeve mëngjesin e sotëm.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, injoroi ‘Rithemelimin’ si pjesë të diskutimeve për zgjedhjen e emrit të Presidentit të ri, duke thirrur Alibeaj, ndërsa Berisha reagoi sot duke e cilësuar atë si ‘peng të mazhorancës’. Në mbledhje Berisha iu drejtua Alibeajt duke i thënë se ai nuk është i zgjedhuri i Grupit Parlamentar, por i Taulant Ballës, ndërsa ai iu përgjigj se nuk është peng i askujt.
I ashpër ka qenë reagimi i Flamur Nokës, i cili i kërkoi Alibeajt që të mos i ndërpriste fjalën Berishës.
Debati
Berisha- Alibeajt: Je i përzgjedhur i Taulant Ballës dhe nuk je i përzgjedhur nga grupi parlamentar. Edhe Rama s’të përfill. Të mbajnë peng. Nuk ke mandat sepse je i zgjedhur i Taulant Ballës. Ai që ndihet opozitar i vërtetë nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfave sekrete.
Alibeaj: S’jam peng i askujt.
Ndërhyn Flamur Noka me ton të lartë duke thënë: “Mos i ndërprit fjalën”.
Nga ana tjetër, Albana Vokshi i ka kërkuar Enkelejd Alibeajt që të bëjë kërkesë në Kuvend për 5 deputetët e përjashtuar (Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi dhe Luan Baçi) që të cilësohen si deputetë të grupit parlamentar të PD.
Vokshi: Jemi 5 deputetë të përjashtuar. Duhet të bëni kërkesën në Kuvend.
Alibeaj: Nuk zhbëj dot unë me vullnet personal vendime që janë marrë nga organe të partisë.
Në fund të mbledhjes pritet që PD të dalë me një qëndrim sa i takon ftesës së socialistëve për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.