Grupi Parlamentar i PD-së ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Berisha nga Shkodra se ai nuk do të mbështeste asnjë kandidat për President, pasi sipas tij do të ishin kandidatët e Ramës. Në një reagim të publikuar në faqen e Facebook-ut të PD-së, Grupi Parlamentar thekson se nuk ka filluar ende asnjë diskutim mbi kandidaturat për president, ndërsa i kujtoi Berishës se nuk ishte pjesë e këtij grupi.

“Grupi parlamentar i PD nuk ka nisur ende asnjë diskutim për sa i përket cështjes së presidentit të Republikës. Në ditët në vijim, për shkak se mund të jetë ne axhendën parlamentare, do të diskutohet me anëtarët e grupit për këtë cështje. Qendrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qendrimin dhe vendimarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë cështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë, thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit”, theksohet në reagim.

Çfarë tha Berisha:

“Ne jemi opozitë dhe nuk mund të propozoj emër. Nuk votoj kandidatët e Edi Ramës sepse do të thotë të çosh në presidencë kopjen e tij. Konsensusi me Edi Ramën është të puthesh me judën. Ai vuan nga kompleksi i vdekjes edhe në gjumë ngrihet llahtar nga unë”

Artikulli paraprakSHKODËR, VESHJET TRADICIONALE TË KOMUNITETIT KATOLIK
Artikulli tjetërAUSTRALI-INDI MARRËVESHJE TREGTARE PAS NJË DEKADE NEGOCIATASH