Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një intervistë dhënë për RTSH Korça, ka komentuar situatën politike në vend dhe gjendjen për shkak të koronavirusit.

Meta u shpreh se qeveria duhet të ndalojë urgjentisht pagesat për koncesionet. Kreu i Shtetit shtoi se duhet që të rimbursohen të gjitha familjet e prekura dhe bizneset e dëmtuara nga Covid-19.

Intervistë e Presidentit Meta dhënë për emisionin “Faktor” në RTSH Korça, për gazetaren Dhorjela Çule (PJESA E PARË)

Pyetje (Dhorjela Çule): Nëse do ta nisim ndoshta nga ajo që është çështja më sensitive për sa u takon shqiptarëve, jetës dhe shëndetit të tyre, mbetet pandemia. Shifra të frikshme që janë shënuar thuajse gjatë javës së fundit, rekorde që thyejnë njëri-tjetrin ditë pas dite, ndërkohë që duket se menaxhimi i situatës nuk po shkon ashtu siç duhet dhe kjo vërtetohet pikërisht nga këto shifra. Ju vazhdimisht keni këmbëngulur dhe keni treguar një sensibilitet të lartë për këtë situatë për të reaguar ndoshta qeveria, të gjitha organet. Si e shihni situatën?

Presidenti Meta: Duhet të ishte bërë shumë më tepër për të mos patur një menaxhim të improvizuar, kaotik, me ndryshime vendimesh sipas konjukturave apo momenteve të caktuara.

Duhet të kishim pasur një menaxhim shumë më profesional, por për fat të keq ka pasur mjaft politizim nga ana e Qeverisë, e cila nuk e ka konsideruar këtë çështje si prioritet të parë dhe më të rëndësishëm, ndonëse shëndeti dhe jeta e qytetarit janë gjëja më e çmuar dhe më e shtrenjtë për çdo shoqëri dhe për çdo shtet demokratik.

Në fund të dhjetorit, në qoftë se ju e kujtoni, unë u detyrova të ktheja buxhetin e shtetit për rishikim, ku shqetësimi im kryesor ishte  mbështetja e sektorit të shëndetësisë për një përballim më efikas të pandemisë.

Burimet financiare ekzistonin dhe ekzistojnë, sepse në të njëjtin buxhet ku tashmë kemi hyrë, u dyfishua pagesa për koncensionet, që përveç dyshimeve për kostot dhe leverdisshmërinë e tyre, edhe mund të shtyheshin sepse çështja e shëndetit të popullatës është prioritet mbi prioritetet.

Për fat të keq nuk e kemi parë këtë prioritet të materializuar në masa e në veprime konkrete, si blerjen e pajisjeve jetëshpëtuese në spitalet që trajtojnë COVID-in, përforcimin e kapaciteteve të spitaleve rajonale për të trajtuar pandeminë apo edhe rimbursimin e shpenzimeve, tepër të larta për të gjithë ata që jetojnë në kufijtë e varfërisë, dhe sidomos për ata që mjekohen në familje.  Shpresojmë të ketë një reflektim të menjëhershëm!

Pyetje: A është neglizhencë apo një politikë e orientuar qëllimisht në këtë mënyrë?

Presidenti Meta: Është një politikë e mbështetur në propagandë dhe jo në profesionalizëm e në përgjegjshmëri, në Kushtetutë e në ligj, pasi në qoftë se do të kthehemi një vit para, kur situata u bë dramatike në Itali dhe u shfaqën rastet e para në vendin tonë, unë bëra të gjitha përpjekjet, mblodha disa herë Këshillin e Sigurisë Kombëtare duke përfshirë edhe udhëheqësit e opozitës pikërisht për të krijuar një klimë konsensusi dhe bashkëpunimi dhe për të qetësuar qytetarët, për të mos rënë në panik dhe për të evituar  çdo lloj revolte të tyre ndaj masave kufizuese që mund të merreshin.

Natyrisht u bë një përpjekje për ta menaxhuar atë situatë sa më mirë, por në momentin që u ngroh koha, që u dobësua fuqia e virusit për shkak të sezonit, qeveria në vend të përgatitej të ruante të njëjtën përgjegjshmëri e të përgatitej për valën tjetër, që pritej të vinte pas verës, përkundrazi, bëri një akt shumë të shëmtuar që s’besoj ta keni harruar ju dhe gjithë të tjerët: Në situatën e jashtëzakonshme që ishte për shkak të pandemisë prishi në mesnatë Teatrin Kombëtar duke provokuar një tension të panevojshëm dhe duke treguar se prioriteti i saj nuk ishte çështja e pandemisë, kujdesi për këtë gjë, e kështu me radhë, por interesa të tjera, të cilat kanë të bëjnë me pushtetin politik apo atë ekonomik të grupeve të caktuara.

Në vazhdimësi përpjekjet e qeverisë për të adresuar nevojat reale, konkrete të sektorit shëndetësor kanë munguar, ndërsa propaganda jo, është me tepri.

Pyetje: Në fakt po të bëjmë një krahasim të vogël me mënyrën se si u menaxhua situata kemi përjetuar mbylljen ekstreme, masat shumë strikte, dhe ndërkohë tani po e shohim situatën të dalë pak jashtë kontrollit, por edhe masat nuk po ndihen aq. Ka lidhje kjo ndoshta edhe me faktin se po u afrohemi zgjedhjeve?

Presidenti Meta: Në tërësi qytetarët janë përpjekur të jenë sa më të kujdesshëm dhe fillimisht ata sidomos janë treguar mjaft të duruar dhe bashkëpunues.

Qeveria e nisi me angazhime dhe me premtime serioze, por pastaj u vu re, që nuk i mbajti angazhimet e saj, që bizneset u dëmtuan shumë, dhe mbështetja për to ishte pothuajse jo ekzistente.

Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë para disa muajsh, të paktën mbi 50 mijë qytetarë shqiptarë kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë, ndërkohë që ky numër padyshim është realisht më i lartë.

Të gjithë këta njerëz të ndodhur pa një mbështetje, sigurisht që janë të detyruar të gjejnë forma të tjera të mbijetesës së tyre dhe njëkohësisht kjo ka bërë, që të humbet ai besimi që duhet të kenë qytetarët te institucionet publike, sidomos në momente të tilla.

Duhej të ishte një menaxhim krejt tjetër nga ana profesionale, të njerëzve me integritet, të pavarur nga politika, siç ndodhi në Greqi, meqenëse jemi këtu pranë një vendi fqinj apo në vende të tjera.

Dhe së dyti mbështetja për biznesin duhet të ishte shumë herë më e madhe. Fakti që ne jemi vendi i fundit, nuk krahasohemi jo me Maqedoninë e Veriut këtu, por as me Kosovën për sa i takon kësaj mbështetjeje, tregon që nuk ka qenë prioriteti numër një që duhet të ishte përballimi i pandemisë dhe i pasojave të saj ekonomike-sociale.

Pyetje: Në fakt pa u ndalur gjerë te efekti ekonomik, unë dua të ndalemi pak edhe te çështja e…

Presidenti Meta: I pari është shëndeti dhe jeta dhe treguesit janë shqetësues. Ashtu sikurse është shumë shqetësues fakti që ka një mospërputhje të personave që deklarohen si viktima nga COVID-19 me trendin e statistikave të vdekjeve vit pas viti ku janë gati 4-5 mijë të tilla, të cilat stonojnë. Është një diferencë, e cila nuk mund t’i faturohet askujt përveçse COVID-it. Ka shumë rëndësi transparenca në përballimin e kësaj situate, sepse transparenca jo vetëm që jep gjendjen reale, por transparenca rrit besimin e qytetarëve tek autoritetet.

Pyetje: Patjetër! Në fakt është interpretuar edhe kjo pjesë, sepse është ndjekur si politikë po themi, ose si orientim i përgjithshëm edhe në vendet e tjera, ku klasifikimi i humbjeve të jetëve është bërë pikërisht në këtë mënyrë, pra nuk janë reflektuar këto shifra realisht jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Këto kanë qenë të paktën disa nga argumentet që janë servirur. Patjetër që transparenca është e rëndësishme, por ku mund ta gjejnë qytetarët dhe a e kanë ata të drejtën që të dinë realitetin? Çfarë u kanoset? Çfarë rrezikojnë? Çfarë shërbimesh mund të përfitojnë? Deri ku është shëndetësia?

Presidenti Meta: Ne për fat të keq e shohim se situata është kritike. Kemi bërë shumë pak për të përforcuar kapacitetet spitalore për të përballuar këtë fluks, ndërkohë që merret një kohë e madhe nga udhëheqësit politikë për kohë televizive. Po të shikoni, të hapni tani ekranet, ndërkohë që jepet shumë pak informacion për protokollet që duhet të ndiqen nga të gjithë personat që rezultojnë të prekur nga COVID-i. Ndërkohë që u bë kaq kohë që të gjithë kërkojnë, Presidenti e ka kërkuar, opozita ka kërkuar, shumë ekspertë të pavarur kanë kërkuar, OBSH-ja ka kërkuar që të rritet numri i testeve dhe ka një kokëfortësi për mosrritjen e tyre.

Po të shikoni numrin e testeve, sigurisht që po qe se nuk do të ketë teste në nivele të duhura e të mjaftueshme, dhe po të mos ketë një gjurmueshmëri, situata do të dalë jashtë kontrollit.

Prandaj me të gjitha parametrat jemi shumë prapa në raport me vendet e tjera. Nuk po themi se ky është një fenomen që ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por mënyra se si ne po e menaxhojmë dhe po e adresojmë këtë gjë, për fat të keq nuk është shumë pozitive, është e paqartë.

Pyetje: Ju e konsideroni kokëfortësi, por mund të shihet edhe si pamundësi e këtij vendi, e ekonomisë për t’i përmbushur të gjitha këto?

Presidenti Meta: Jo, sepse ekziston mundësia në këtë kohë për të miratuar koncesione, të cilat elaborojnë shuma të jashtëzakonshme të buxhetit të shtetit, pra të taksave të qytetarëve shqiptarë.

Përse duhet të dyfishohet për këtë vit pagesa nga buxheti i shtetit për koncensionet kur të gjitha këto rezerva të jashtëzakonshme mund dhe duhet të përdoreshin për të përforcuar kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor, të spitaleve tona, por njëkohësisht edhe për të saktësuar protokollet dhe rimbursuar shpenzimet për të gjitha familjet që janë në nevojë.

Të mos harrojmë, që pandemia jo vetëm për shifrat që unë dhashë për humbjen e vendeve të punës që janë shumë të larta, por edhe për të gjitha arsye te tjera kanë sjellë një rritje të varfërisë, të kostos së jetesës së qytetarëve shqiptarë, si dhe kanë krijuar një vështirësi financiare për të përballuar mjekimin e duhur.

Pyetje: Atëherë pse koncesionet. Si e gjykoni ju?

Presidenti Meta: Këtë besoj se e gjykojnë të gjithë ata që na dëgjojnë. Mua më kanë dëgjuar vazhdimisht që kam folur përmes dekreteve, për kthimin dhe  refuzimin e shumë koncesioneve në Parlament.

Këto koncesione jo vetëm që kanë qenë antikushtetuese, por kanë qenë për  emra të caktuar dhe jo për shërbime, apo për  investime të caktuara.

Këto koncesione kanë qenë  edhe tepër problematike në drejtim të leverdishmërisë për interesin publik.

Ndërsa kostoja e tyre ka qenë me e lartë sesa ato janë realisht.

Pyetje: Zoti President, kalojmë pak edhe te vaksina.. Është shoqëruar më replika, debate në opinionin publik, në rangje të ndryshme. Kjo në një moment kur të gjitha shtetet po ankoheshin për kompaninë ‘Pfizer’, se nuk po e merrnin vaksinën në kohën e duhur. Kryeministri i Shqipërisë u shpreh i kënaqur, dhe tregoi pak a shumë se shqiptarët janë fatlumë për këtë arritje.. Ndërkohë, mbetet shqetësim sasia e dozave…!

Presidenti Meta: Ky është një shqetësim madhor dhe duhet të kishte një angazhim shumë më herët, për një program shumë të qartë siç edhe kanë pasur shumë vende të tjera.

Është tepër e rëndësishme dhe imediate, përveç një plani transparent vaksinimi, sepse transparenca, është siguri për qytetarin.

Padyshim, prioritet shumë i rëndësishëm është ajo se çfarë po bëjmë sot?  Për ata që janë të infektuar, për ata që janë duke u mjekuar dhe për ata që fatkeqësisht janë të intubuar. Parametrat në vendin tonë të rezultatit të intubimit janë të frikshme, shumë pak raste ka që jeta e tyre shpëton.

Kjo gjë ndodh për shkak të mosinvestimit modest për disa pajisje jetëshpëtuese.

Ne, kemi kaq kohë që i kemi kërkuar dhe ende nuk janë adresuar. Pra ka shumë probleme, të cilat nëse do të kishte një vullnet më të madh dhe serioz do të zgjidheshin.

Kursi alternativ ndaj problemeve konkrete është, që  jepet mburrje pa kufi, dhe vetëlavdërimi pastaj sjellë mungesë totale te realizimit, dhe papërgjegjshmëri ndaj jetës së qytetarëve.