
Në përvjetorin e 26-të të Masakrës së Poklekut, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mirëpriti sot familjarët e viktimave, duke theksuar edhe një herë përkushtimin e institucioneve për ruajtjen e kujtesës historike dhe sigurimin e drejtësisë. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani deklaroi se Masakra e Poklekut, ku humbën jetën 54 qytetarë të pafajshëm nga regjimi kriminal i Serbisë, mbetet një plagë e hapur për Kosovën dhe një zë që kërkon drejtësi pa pushim.
“Ngjarja tragjike e Poklekut është dëshmi e përhershme e vuajtjes sonë kolektive dhe e domosdoshmërisë për drejtësi. Është përgjegjësi jonë institucionale dhe morale që kryesit e këtyre krimeve të përballen me drejtësinë”, nënvizoi Presidentja Osmani.
Ajo shtoi se kërkesa për drejtësi është artikuluar në çdo tribunë ndërkombëtare ku Kosova ka përfaqësim, duke e cilësuar këtë përpjekje si një mision të vazhdueshëm për nderimin e kujtimit të viktimave dhe ndërtimin e një të ardhmeje të drejtë. Presidentja ritheksoi se këto krime nuk do të harrohen, dhe se përkushtimi i saj ndaj të vërtetës dhe drejtësisë mbetet i palëkundur – për të gjithë ata që u sakrifikuan dhe për një të ardhme më të denjë e paqësore për vendin tonë.