Pretenca, 16 vjet burg për bashkëpunëtorin e Frrokut

Prokuroria e Tiranës këkroi dënimin me 16 vite burg për Kristjan Marinaj, bashkëpunëtorin e ish-deputetit Mark Frroku në vrasjen e Aleksandër Kurtit, në vitin 1999 në Belgjikë. Ndonëse të dy akuzohen për të njëjtën ngjarje, proceset ndaj tyre janë zhvilluar më vete, pasi më parë Mark Frroku kërkoi gjykim të shkurtuar duke veçuar dosjen. Ndërkohë ka dështuar për të dytën herë radhazi dhënia e pretencës për ish-deputetin Frroku. Shkak për këto shtyrje janë bërë mungesat e avokatëve mbrojtës, të cilët nuk janë paraqitur në seancë. Hetimet ndaj Mark Frrokut dhe Kristjan Marinajt për vrasjen e Aleksandër Kurtit janë zhvilluar nga autoritetet belge, të cilat kanë sjellë dosjen për gjykim në vendin tonë, pasi Shqipëria nuk ka marrëveshje me Belgjikën për ekstradimin e shtetasve respektivë.