
Fondacioni “Misioni Liljana Luani” është prezantuar zyrtarisht sot në Shkodër, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në ambientet e Hotel Colosseo. Nisma synon të vijojë misionin humanitar dhe arsimor të mësueses Liljana Luani, me fokus të veçantë te fëmijët dhe familjet e prekura nga gjakmarrja, si dhe te shtresat në nevojë.
Mësuesja Liljana Luani është përballur ndër vite me sfida dhe vështirësi të shumta, duke vijuar punën e saj me përkushtim për fëmijët dhe familjet që jetojnë nën pasojat e gjakmarrjes.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore, të cilët vlerësuan rëndësinë e nismave humanitare dhe mbështetjes për shtresat në nevojë.
Hapja e fondacionit synon të ruajë dhe të çojë përpara vlerat që mësuesja Liljana Luani ka përfaqësuar ndër vite, me bindjen se asnjë fëmijë nuk duhet të privohet nga arsimi, mundësitë dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen e tij.


