
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka prezantuar sot fazën e parë të Planit të Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane, një iniciativë që parashikon ndryshime të rëndësishme në mënyrën e qarkullimit dhe organizimit urban në qytet. Në njoftimin e bërë publik, Beci theksoi se Shkodra po i largohet “lëvizjes kaotike dhe trafikut të pakontrolluar”, duke hyrë në një etapë të re zhvillimi.
“Gati Plani i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane. Jo më lëvizje kaotike dhe trafik të pakontrolluar. Shkodra po futet në një fazë të re zhvillimi, ku qendra bëhet më e qetë dhe më e aksesueshme, korsitë e biçikletave më të sigurta, lagjet dhe shkollat më të mbrojtura, transporti publik më funksional dhe parkimi i menaxhuar. Shkodra ecën përpara”, u shpreh kryebashkiaku.
Plani përfshin pesë hapa kryesorë:
Qendra e qytetit do të kthehet në një hapësirë më të qetë dhe të dedikuar për këmbësorët, me kufizime të qarkullimit të mjeteve, zgjerim të trotuareve dhe shtim të hapësirave të gjelbërta.
Korsitë e biçikletave do të zgjerojnë rrjetin ekzistues, me ndarje fizike nga trafiku për të rritur sigurinë e pedaluesve.
Lagjet dhe shkollat do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve për të rritur sigurinë, me shtim të korsive të ecjes, hijes, ulëseve dhe masave për ngadalësimin e qarkullimit.
Transporti publik do të modernizohet me dy linja kryesore dhe shërbime fleksibël për zonat periferike, ndërsa autobusët elektrikë pritet të reduktojnë ndotjen dhe zhurmën.
Parkimi i menaxhuar parashikon organizimin e një rrjeti të qartë parkimi dhe hapjen e zonave të reja pranë destinacioneve kryesore.
Sipas Bashkisë Shkodër, ky plan synon të sjellë një model të ri funksionimi urban, duke e afruar qytetin me standardet evropiane të lëvizshmërisë dhe cilësisë së jetës.






