Kisha e Reçit “Shën Ilia” në Malësinë e Madhe i është nënshtruar një restaurimi që ka përfunduar. Arqipeshkëvi i Shkodrës monsinjor Angelo Massafra prezantoi në sallën kardinal “Mikel Koliqi” restaurimin e Kishës së Reçit. Massafra tha se çatia nuk është ndërtuar për shkak se kushton mbi 100 mijë euro ndërsa u shpreh se kisha e restauruar që ndodhet afër burgut të Reçit do të shërbejë si një lutje shpirtërore për të burgosurit që ndodhen atje.
Studiuesi dhe historiani nga Malësia e Madhe Ndue Bacaj u shpreh se kisha e Reçit në Malësinë e Madhe është një dëshmi e gjallë e identitetit të hershëm shqiptar e europian.
Studiuesi Bacaj tregon edhe për dëshmitë e viteve 1850 lidhur me harmoninë fetare mes muslimanëve e katolikëve në Reç.
Kisha e Reçit ka një histori mbi 400 vjeçare ndërsa ndaloi së funksionuari në vitin 1967 pas ndalimit të fesë nga sistemi komunist. Tashmë kisha e Shën Ilisë në Reç është rikonstruktuar pasi kishte degraduar si ndërtesë dhe do të shërbejë sërish për besimtarët katolik të asaj zone ndërsa pritet që në vijim arqipeshkëvi Angelo Massafra të bëjë bekimin e Kishës së Reçit.