Famullitari I Thethit, At Kastriot Demaj ka reaguar në lidhje me aksionet për prishjen e shtëpive dhe kasolleve prej druri në zonë e Thethit, duke I bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ndalë çdo veprim që cënon banorët vendas dhe trashëgiminë e tyre. Në reagimin e tij dejtuar autoriteteve, famullitari thekson se fadromat duhet të përdoren për të hapur rrugë dhe për të krijuar kushte më të mira jetese ne Dukagjin dhe jo për të shkatërruar shtëpitë.
E kam detyrim, nën shembullin e Famullitarëve, që i kanë shërbyer zonës së Shalës dhe krejt Dukagjinit përgjatë shekujve, në luftë e në paqe, në gëzime e në hidhërime, të them fjalën time në lidhje me shkatërrimin e shtëpive dhe kasolleve të drurit në Theth në muajin korrik, e sipas po përflitet, për një aksion të dytë shkatërrimi.
Prandaj, si Famullitar i Thethit dhe i fshatrave të tjerë përreth, bëj thirrje që të mos ndërmerret më asnjë lloj aksioni për shkatërrim të kasolleve prej druri, të ndërtuara për mikëpritjen e turistave apo i shtëpive për banim. Në të njëjtën kohë bëj thirrje për pajisjen me dokumenta pronësie të shtëpive dhe tokave, që kanë trashëguar banorët e Thethit dhe krejt Dukagjinit, prej t’Parëve të vetë, proces që tashmë ka nisur dhe është në fazën fillestare. Është e drejtë natyrore që çdo kush që ka trashëguar shtëpinë dhe tokën, të ketë edhe dokumentin përkatës. Nëse një ligj pengon banorët e Thethit të mos pajisen me dokumenta pronësie, për shtëpitë dhe tokat e tyre, ai është një ligj që cenon të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, e si i tillë, nuk duhet të jetë. Alpet kanë bukurinë e vet, por më së pari paqen dhe dinjitetin e njeriut.
Duke e përmbyllur këtë reagim, ju ftoj që fadromat t’i përdorni për me hapë rrugë e për të krijuar kushte të përshtatshme për jetëse në Dukagjin, ashtu siç keni nisë të veproni, me rinovimin e rrugës që përshkon krejt Dukagjinin, duke filluar nga Prekali, e jo të bëni të njëjtin gabim, si në korrik, duke shkatërruar me fadroma shtëpitë dhe kasollet e drurit në Theth.
Jepuni mundësinë banorëve të Shalës dhe krejt Dukagjinit t’i rinovojnë shtëpitë e vjetra, të braktisura për shkak të kushteve të vështira të jetesës, sepse me ndërtimin e rrugës, banorët do të kenë mundësi të rikthehen në tokat e t’Parëve të tyre. E me ndërtimin e rrugës, edhe turizmi do të rritet në krejt zonën e Dukagjinit, pasi do shfaqet i gjithë, ashtu si Thethi, ka bukurinë e vet, që do të shihet më qartë kur rruga të bëhet e përshtatshme për të gjitha mjetet automobilistike.
Duke shpresuar që nuk do të bëhet edhe një herë gabimi i korrikut, pres një reagim pozitiv nga ana e autoriteteve përgjegjëse, përfundon reagimin e tij At famullitari I Theth-Breglumi Kastriot Demaj.

Artikulli paraprakIKMT RIKTHEHET NË THETH, DO TË SHEMBEN 35 OBJEKTE
Artikulli tjetërRAMA: 30 VJET NDALOHET NDËRTIMET ATJE KU VIHEN ZJARRE