“THIRRJA E NËNAVE” NË KOSOVË, KUNDËR DEKLARATAVE TË MINISTRIT SERB. Qytetarët e Kosovës do të zhvillojnë sot një protestë masive mbarëpopullore të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, grupe OJQ-sh dhe “Thirrja e Nënave” në Prishtinë.

Protesta do të mbështetet dhe nga subjekte politike, organizata të ndryshme dhe shoqëria civile. Qëllimi i organizimit të saj është thirrja kundër deklaratave të ministrit serb të qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, dhe kërkimin e dorëheqjes së tij. Ky i fundit javë më parë ofendoi nënat gjakovare të personave të zhdukur, duke i quajtur “egërsira”. Një prej përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se protesta do të ketë si qëllim dhe çështjen e Trepçës, pasi ligji i veçantë i parashikuar për rregullimin e saj nuk parashikon kthimin e minierës në një ndërmarrje publike. Thirrjes për protestë mbarëpopullore i janë bashkuar shumë komuna të Kosovës dhe sipas organizuesve mendohet se numri i qytetarëve pjesëmarrës të arrije në mbi dhjetë mijë persona.