Partia Demokratike në bashkëpunim me aleatët e saj do të zhvillojë sot protesta para parlamentit për të kundërshtuar zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Protesta është parashikuar të nisë në orën 09:30. Kryeministri Rama ka mbledhur grupin parlamentar të PS-se ku do të mësohet se cili prej kandidatëve të Kryeprokurorit të Përkohshëm do të hidhet për votim në seancën e sotme parlamentare. Tre kandidaturat janë Ermira Tafani, Arta Marku dhe Ferdinand Elezi.

Burimet kanë bërë të ditur se mbështetësit do të tubojnë para të dy hyrjeve të seancës parlamentare, ku nuk përjashtohen as hedhja e sendeve drejt parlamentarëve, por dhe në këtë rast duke shmangur dhunën. Mësohet po ashtu se do të jenë kryetarët e degëve të PD që do të mbajnë peshën kryesore të menaxhimit të pjesëmarrësve.

Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike do të jenë pjesë e parlamentit, ku do të debatojnë me mazhorancën si dhe do të organizohen për të mos lejuar, sipas tyre, votimin e njëanshëm dhe në shkelje të kushetutës së kryeprokurorit të përkohshëm. Por ashtu si dhe më parë, një pjesë e deputetëve do të dalë nga salla e kuvendit, për tiu drejtuar pjesëmarrësve të protestës. Demokratëve do ti bashkohen po ashtu dhe mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe të partive të tjera parlamentare dhe jo parlamentare.

Artikulli paraprakRAMA SOT NË BRUKSEL, TAKIM ME MOGHERININ PËR PERSPEKTIVËN EUROPIANE NË 2018
Artikulli tjetërZBARDHET IDENTITETI I AUTORIT TË VRASJES