Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot në një takim në Tiranë Ministrin e Jashtëm danez, Z. Jeppe Kofod, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.

Në një deklaratë për shtyp pas takimit, ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.

Ajo u shpreh se Danimarka ka qenë një nga gjyqtaret më të rrepta e më kërkuese në lidhje me progresin e Shqipërisë dhe se mbështetja e saj është provë e qartë se progresi i bërë ka qenë i prekshëm dhe bindës.

“Ne patëm rastin të bisedojmë nga afër për gjithçka kemi bërë, por edhe për kushtet e vështira në të cilat është bërë kjo punë vërtet e madhe për përmbushjen e çdo kërkese të BE-së. Pata rastin të shpreh pritshmëritë e larta që ne kemi nga mbledhja e radhës e Këshillit të BE-së, si një vend që tanimë e meriton dhe është plotësisht i gatshëm për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, u shpreh ministrja në deklaratën e saj pas takimit me homologun danez.

Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohje për kontributin e qeverisë daneze për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe në luftën ndaj pandemisë.

Ajo garantoi bashkëpunim me Danimarkën në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe çështje të klimës gjatë mbajtjes së anëtarit të përkohshëm në Këshillit e Sigurimit të OKB, vend të cilin Danimarka synon ta marrë në vitet 2025–2026. Kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm danez në Shqipëri, që pas vizitës së Per Stiger Moller 15 vite më parë.

Artikulli paraprakIU BESUA POSTI MË I LARTË NË QEVERI, ZV.KRYEMINISTRI AHMETAJ: NUK KAM PSE TA FSHEH, ËSHTË PËRGJEGJËSI E MADHE
Artikulli tjetër“QEVERIA TALEBANE E MULLAH OMAR RAMËS!”, VASILI PËR KABINETIN E RI: DO VAZHDOJNË TË RRËMBEJNË KONCESIONET, POR S’DO T’I SHPËTOJNË NDËSHKIMIT