Në konferencën e përbashkët me kancelaren Angela Merkel në Tiranë, kryeministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Sot ishte privilegj që kancelarja të ishte në Tiranë, në pamundësi për të vizituar gjithë vendet, dhe këtu të kishim edhe takimet bilaterale me gjithë liderët. Dua t’i shpreh mirënjohjen, falenderimit në emër të shqiptarëve, për atë që Gjermania ka bërë për Shqipëri dhe kancelarja personalisht ka bërë për rajonin.
Duke respektuar maksimalisht faktin që kancelarja është një lider që drejton Gjermaninë prej shumë e shumë vitesh por asnjëherë s’ka munguar t’i japë zemër politikës, por është gjermane dhe kohën e ka të shtrenjtë oraret të rëndësishme, s’dua të marr kohë më të gjatë. Sot ballkani është një vend shumë më i mirë sec ishte para se Merkel të niste procesin e Berlinit, pavarësisht se do të ketë vazhdimësinë, Merkel do i mungojë këtij rajoni.” tha Rama.

Pavarësisht se shumë sfida mbeten të pazgjidhura, Rama theksoi se pa kancelaren Merkel Ballkani nuk do ishte njësoj si sot.

“Mirënjohje e falenderime, ishte një privilegj, nder kënaqësi që unë të kisha këtë detyrë në të njëjtën kohë me të, të kisha mundësinë të mësoja prej saj. Sipas meje, sot është një moment kur të gjithë ne jemi të vetëdijshëm qoftë për cfarë ka bërë e qoftë për boshllëkun që ajo lë. Pa kancelaren Merkel Ballkani nuk do ishte njësoj si sot, as Europa pavarësisht sfidave e problemeve që mbeten të pazgjidhura.”- u shpreh ai.

Në përfundim, ndërsa e ftoi të vizitojë sërish Ballkanin Perëndimor, Rama nuk kurseu batutat me kancelaren gjermane.

“Merkel tani do të jetë më e lirë e shpresoj të ketë kohën e dëshirën të kthehet në Ballkan për të lexuar më nga afër realitetin tonë, për t’u shperblyer me deti natyrën e humorin e Ballkanit që në këtë fushë është shumë më parë se BE.”- tha Rama.