Presidenti Bujar Nishani do të rikthejë ditën e sotme në Kuvend ligjin për mbetjet që u miratua dy javë më parë me votat e maxhorancës. Burime pranë Presidencës, thanë dje se pas konsultimeve që kreu i shtetit pati me Aleancën kundër Importit të Plehrave dhe përfaqësues të Industrisë së Riciklimit, ka vendosur që të mos e dekretojë ligjin, por t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili muajin e fundit ka qenë në qendër të debatit politik dhe mediatik, u miratua dy javë më parë me 63 vota të maxhorancës, ndërsa deputetët e PDIU¬së nuk morën pjesë në votim.

Dekreti i Presidentit Nishani, i cili pritet të kalojë të enjten e ardhshme në Parlament, kërkon 71 vota që të rrëzohet nga shumica për ta lënë në fuqi ligjin. Vendimi Për të arritur në mosdekretimin e ligjit për importin e mbetjeve dhe kthimin e tij në Parlament për rishqyrtim, Presidenti Nishani zhvilloi konsultime me përfaqësues të shoqërisë civile që e kundërshtuan miratimin e tij. Një javë më parë, pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, tha se në vendimin e tij do të niset nga interesi i qytetarëve, duke paralajmëruar në këtë mënyrë mosdekretimin e tij. “Çështjen dhe kauzën tuaj, për të cilën duhet të vazhdoni të këmbëngulni, po e trajtoj me shumë seriozitet ligjor, institucional dhe personal, jo vetëm në cilësinë e kreut të shtetit, por edhe si një qytetar shqiptar dhe si prind. Ju garantoj se për sa kohë do të jem në këtë zyrë, nuk do ta zhgënjej asnjëherë interesin publik të qytetarëve!”, u shpreh Presidenti Nishani pas këtij takimi. Por të interesuar për dekretin e presidentit ishin edhe përfaqësuesit e industrisë ricikluese, të cilët kërkuan takim me kreun e shtetit. Në takimin me Presidentin e Republikës, përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve paraqitën historikun e industrisë dhe informacione të hollësishme rreth lëndëve të para që përdorin në fabrikat e tyre të riciklimit, si dhe ndikimit të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Sipas ricikluesve, duke lënë mënjanë disinformimet dhe tentativat për përdorim politik, qëllimi dhe interesi i industrisë së riciklimit në vend nuk është thjesht aspekti ekonomik e zhvillimor, por edhe ai i ruajtjes së mjedisit. Pasi i dëgjoi me vëmendje dhe diskutoi gjerësisht me ta, Presidenti Nishani vuri në dukje se ka shumë nevojë që për çështje të tilla të ndjeshme që përfshijnë shumë dimensione, si ato të biznesit, ekonomik, strukturor, mjedisor etj., zëri i aktorëve të ndryshëm të përfshirë të jetë më i fuqishëm. “Çështje kaq thelbësore e të ndjeshme nuk duhen politizuar, në mënyrë që pastaj ato të mos dështojnë”, u shpreh presidenti, duke vlerësuar industrinë e gjelbër

Artikulli paraprakNDIKIMI I ZGJEDHJEVE NË PROCESIN E INTEGRIMIT
Artikulli tjetërZBARDHET NGJARJE NË MAL KOLAJ, DY NË PRANGA